Një gruaje shtatzëne iu mor jeta mizorisht para tri ditëve. Ajo u godit shtatë herë më thikë në gjoks. Për këtë krim i dyshuar kryesor është Bujar Frangaj nga Kosova. Mediat italiane kanë zbuluar detaje të reja rreth rastit, përfshirë vizitat e shpeshta të Frangajt në vendin ku punonte Ballan dhe se çka postonte Frangaj në rrjetet sociale.
Vanessa Ballan, shtatzënë, 26 vjeç, u vra të martën e 19 dhjetorit në shtëpinë e saj. Mediumi italian, Corriera della Sera, në ditën e krimit, raportoi se i dyshuari ka hyrë në shtëpi duke e gjetur viktimën në pizhama e më pas e ka sulmuar me thikë. Sipas këtij mediumi, në trupin e viktimës janë gjetur disa lëndime të cilat konfirmojnë se ajo ka tentuar ta mbrojë veten.
I dyshuari për këtë rast është Bujar Fangaj, 41 vjeç, nga Kosova. Ai është arrestuar në ditën e krimit.
Ballan dhe Frangaj njiheshin me njëri- tjetrin. Dyshja raportohet se u njohën në supermarketin ku viktima punonte si arkëtare. Mediat italiane kanë raportuar se Ballan dhe Frangaj kishin pasur një romancë, që mbaroi një vit më parë.
Por Fandaj nuk e kishte pranuar ndarjen dhe më pas kishte filluar ta shantazhojë dhe ta kërcënojë me publikimin e disa videove intime në internet dhe me vdekje.
“Nëse nuk kthehesh me mua do të të vras” , “nëse nuk kthehesh do t’i tregoj burrit tënd videot që kemi bërë bashkë”, janë disa prej kërcënimeve që shqiptari i ka bërë 26-vjeçares italiane.
Këto kërcënime, Ballan i kishte raportuar në Polici më 27 tetor. Më pas Policia ia kishte konfiskuar telefonin Frangajt, por nuk i ishte caktuar asnjë masë siguri, pasi Ballan kishte fshirë gjithçka nga telefoni i saj me frikën se mos zbulohej nga bashkëshorti.
Mirëpo, bashkëshorti i viktimës, Nicola Scapinello, nuk ka ditur asgjë për këto kërcënime dhe ishte pikërisht ai që e gjeti Ballan të vdekur. Por, siç duket, për problemet e Ballan nuk e kanë ditur as të afërmit e saj, të cilët kur mbërritën te shtëpia e saj folën për një “grabitje”.
Lidhur me rastin, Gazeta Express ka dërguar pyetje në adresë të Prokurorisë së Trevisos, por deri më tani nuk kanë kthyer përgjigje.
Mirëpo kryeprokurori i Trevisos, Marco Martani, në një takim me gazetarë, ka thënë se nuk kanë mundur ta arrestojnë Frangaj pas raportimit për kërcënim e ndjekje.
“Nuk kishte kushte për të marrë të vetmen masë që mund ta pengonte Bujar Fandaj të vriste Ballan Ballan, pra arrest me burg. Mund të ishte vendosur të ndalohej kjo qasje, e cila nuk u bë dhe që në retrospektivë duket se ka qenë një gabim”, tha ai.
Vizitat e shpeshta në vendin e punës
Frangaj, sipas Corriera della sera, shkonte deri në pesë herë në supermarketin ku punonte Ballan.
Njëri nga kolegët e Ballan, Manuel Vanin ka thënë se Frangaj shkonte shpesh në supermarket dhe se Ballan ndihej në siklet sa herë që e shihte atë.
“Ai ishte gjithmonë këtu, vinte shpesh, madje disa herë në ditë dhe këtë e bënte me arsyetimin se po blen diçka, diçka të vogël ose asgjë, dhe më vonë vinte prapë”, tha njëri nga punonjësit e supermarketit ku punonte Ballan.
“Sa herë që e shihte Vanessa atë, ndihej në siklet”, tha Manuel Vanin.
Vanin ka thënë se kur Frangaj shkonte në supermarket, Ballan frikësohej.
“Sa herë që ai hynte në supermarket, ajo ishte në siklet dhe mundohej që të mos shihej. Vanessa kishte frikë nga ai”, tha Vanin.
Çka postonte Frangaj në rrjete sociale?
Corriera Della Sera ka shikuar rrjetet sociale të Bujar Frangajt dhe ka veçuar disa nga to.
“Ai kishte filluar të postojë fotografi të tij në Tiktok të shoqëruara me muzikë dhe fraza kërcënuese, shpesh afër dëlirit”, thuhet në artikullin e Corriera Della Sera.
Këto postime kanë dalë jashtë kontrollit pas 27 tetorit, në ditën që u bë ankesa.
“Kurrë mos më vendos në pozitën e të qenit person i pa shpirt sepse në ditën kur jam, për ty përfundon.”
“Dëgjo, ti mund të më bësh gjithçka për sa kohë që unë të lejoj, por ka një gjë që nuk duhet të bësh: mos më nënvlerëso kurrë.
“Isha gati për çdo gjë për ty, për t’u ngjitur maleve dhe për të kapërcyer oqeanet, por ti zgjodhe ta tradhtosh këtë besim.”
Corriera Della Sera thotë se Frangaj në këto video bënte akuza pa emër, por që tingëllojnë si akuza drejt Ballan.
Më 16 nëntor Frangaj ka publikuar një foto të dorës, ku në grusht shkruan “16 nëntor 2021” dhe në prapavijë dëgjohej një mesazh në frëngjisht: Ka përfunduar, do të lë reaht. Unë nuk do të të mbush me mesazhe më. Unë nuk do të harxhoj më kohë më dikë që nuk më do në jetën e saj. Nëse do të më doje me të vërtetë gjërat do të rridhnin ndryshe. Çfarë kam bërë që të meritoj kaq përbuzje?”.
Më pas, më 28 nëntor, Fandaj postoi një video në të cilën shfaqej me një dritë të kuqe në fytyrë që shfaqte flamurin shqiptar. Zëri i incizuar që shoqëronte videon thoshte: “Nëna ime më rriti të jem personi më i sjellshëm, më i ëmbël që do të takoni ndonjëherë. Por nëse nuk më respektoni, do t’ju tregoj pse kam mbiemrin e babait tim.” /GazetaExpress/