Investime të reja e vazhdimin e atyre të nisura në infrastrukturën sportive e ka premtuar Lëvizja Vetëvendosjen në Pejë. Në tubimin qendror të hënën në sallën e Sportit në këtë qytet, kandidati për kryeministër Albin Kurti premtoi se Pejën do ta bëjë kryeqytet të sportit.
Kryeqytet të sportit, ka premtuar kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se do ta bëjë qytetin e Pejës.
Në tubimin zgjedhor në këtë komunë, Kurti është zotuar përfundimin e investimeve të nisura e nisjen e atyre të reja në infrastrukturën sportive.
“Kjo salla e sporteve Karagaç gjithashtu do të rinovohet thellësisht e tërësisht për sportistët e Pejës e për të mirëpritur gara ndërkombëtare. Për stadiumin Shahin Haxhi Islami ku I ka zhvilluar historikisht ndeshjet klubi Besa I kemi ndarë 19 milionë euro. Stadiumi është në gjendje të mjerueshme”, tha Kurti.
Përfundimin e investimeve e ka premtuar edhe në infrastrukturën rrugore, për të cilat tha se i kanë kursyer shtetit me miliona euro duke ndryshuar projektet e qeverisjeve të mëparshme.
“Ju e dini se ata kanë qenë shumë dorëshlirë me para te shtetit dhe kriteret për rruga e autostrada e kanë pasur arat e veta e pronat e miqve. Me neve buxheti i shtetit ruhet e arat punohen andaj edhe vendosëm që në vend të projektit të kushtueshëm të vazhdojmë me projektin që parasheh zgjerimin e rrugës aktuale, me këtë vendim i kemi kursyer 150 milionë euro të shtetit”, tha Kurti.
Kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër ka premtuar edhe se do të ecet para në projektin rrugor që lidhë Rozhajën e Malit të Zi me Pejën.
Po ashtu premtim pati edhe për rritjen e numrit të vizitorëve në 500 mijë sosh.
As në tubimin në Pejë, nga Kurti nuk kanë munguar akuzat ndaj partive opozitare.
“Nuk ka se si të mos çuditeni kur dëgjojmë nga udhëheqja e LDK-së se policia e Kosovës, kryeministri i Republikës, institucionet e shtetit tonë na qenkan si Serbia e Millosheviqit. Por këtu qysh e dini edhe ju vet, LËDËKYHI edhe PËDËKYHI janë bashkë në koalicion”, tha Kurti.
I ashpër ishte edhe me disa biznesmen pejanë.
“Kombi shqiptar ka nevojë për biznesmen patriot që thonë Peja, Republika e Kosovës, Gjakova, Republika e Kosovës e jo kurrë, asnjëherë që thonë Peç Serbia a Gjakovica Serbia”, tha Kurti.
Me përfaqësues të LDK-së e PDK-së por edhe AAK-së është marrë edhe kandidatja për deputete në Listën e Vetëvendosjes, Donika Gërvalla.
“Ky ende pa i fshirë mirë fotografitë me Radojçiqin po thotë që kryeministri o Kosovës na qenka bashkëpunëtor i Serbisë. Ky kryeministër që Radojçiqin e mundi në Banjskë ja shpartalloj bandat, ja arrestoj shokët, e përzuri nga Kosova dhe e izoloj brenda Serbisë”, tha Gërvalla.
Paraprakisht, të hënën, Kurti në Treboviq të Pejës ka takuar përfaqësues të komunitetit egjiptianë, ka takuar familjen e dëshmorit Shpëtim Bojku e ka vizituar disa biznese prodhuese të tekstilit e materialeve të metalit.