Atë që e quajtën vendim të pavarur të Bankës Qendrore të Kosovës, pritet që sot përsëri ta kenë në tavolinën e diskutimeve me Serbinë në Bruksel.
Zv/kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ashtu siç është paralajmëruar javën e kaluar, sot pritet të qëndrojë në Bruksel. Kjo për të diskutuar me homologun e tij serb, Petar Petkoviq, lidhur me propozimet për dinarin.
Se cilat janë propozimet ende nuk është bërë e ditur, megjithatë, palët kanë pasur kohë deri të premten që ato t’i finalizojnë.
“U dakorduam që deri të premten secila palë të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, deklaronte Bislimi pas takimit të javës së kaluar.
“Ne në vazhdimësi duam të dëgjojmë edhe nga pala serbe se a kemi marrëveshje dhe a jemi të përkushtuar ta zbatojmë. Kryenegociatori serb iu bishtnua përgjigjes disa herë, në fund tha se për Serbinë është problematike marrëveshja pasi ka nene të cilat merren me statute, sidomos ato nene që tregojnë për respektimin e integritetit territorial, për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe të ngjashme”, deklaroi ai.
“Në fakt, na u tha që Serbia nuk e njeh marrëveshjen si të tillë. Ai tha se për Serbinë është e pamundur të nënshkruhet një marrëveshje me Kosovën. Kur pastaj vetë pala serbe iu referua marrëveshjes së vitit 2013 të cilën e kanë nënshkruar, por Petkoviçi tha se ne nënshkruajmë marrëveshje vetëm aty ku s’diskutohen statutet”, potencoi Bislimi.
Ndërsa, kryenegociatori serb Petkoviç ka thënë se në takimin me Bislimin kanë biseduar për dinarin, por edhe për çështje të tjera si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe.
“Gjëja e parë për të cilën këmbënguli delegacioni serb ishte Asociacioni si çështja më e rëndësishme, kryesore, e cila mbi të gjitha ka të bëjë me fatin dhe të ardhmen e popullit serb në Kosovë”, tha Petkoviq.
“Një çështje tjetër e rëndësishme për të cilën kemi insistuar është çështja e dinarit, duke pasur parasysh vendimin e njëanshëm të Prishtinës për heqjen e dinarit, si dhe përfitimet sociale dhe tarifat shkollore të qytetarëve serbë që marrin këto mjete nga Serbia”, ka deklaruar ai.
Për takimin që pritet sot, kishte njoftuar emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Prita dy kryenegociatorët për të diskutuar zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe çështje të tjera, përfshirë ndikimin e vendimit në operacionet me para. Ne ramë dakord që të vazhdojmë me këtë çështje të hënën e ardhshme, ndërsa Marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët”, ka shkruar Lajçak.
Mbetet të shihet se cilat do të jenë propozimet, dhe nëse do të ketë ndonjë marrëveshje për dinarin që ka shkaktuar reagime të mëdha kohëve të fundit.