Organizata “QIKA” ka vendosur disa jastëk para Rektoratit të Universitetit të Prishtinës për anëtarët e Këshillit të Etikës. Ky veprim i organizatës ka ardhur për shkak që ende nuk është marrë ndonjë vendim ndaj profesorit Xhevat Krasniqi i cili është denoncuar nga 27 studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.
Tutje nga kjo organizatë thuhet se Këshilli i Etikës po fle teksa vajzat e gratë në hapësirat e UP-së nuk janë as të qeta e as të sigurta.
Njoftimi i plotë:
SHHH, KËSHILLI I ETIKËS PO FLEN…
Sot, para Rektoratit të UP-së e vendosëm nga një jastëk për secilin antarë të Këshillit të Etikës.
Këshilli i Etikës po fle i qetë teksa vajzat e gratë në hapësirat e UP-së nuk janë as të qeta e as të sigurta.
Këshillit të Etikës, tash e tri javë, gjumin nuk ia prishi as denoncimi për ngacmim seksual nga 27 studente ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, ashtu sic tash e disa vite nuk ia kanë prishur gjumin raste të tjera të ngacmimeve seksuale dhe sulmeve seksuale që s’janë trajtuar drejtë e as me seriozitet.