Detaje të reja janë zbardhur nga ekzekutimi i 30-vjeçares Liridona Ademaj tre muaj më parë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku i akuzuari kryesor mbetet bashkëshorti i saj Naim Murseli.
News 24 ka siguruar një intervistë me një efektiv të Forcave Speciale amerikane, rezident edhe në Prishtinë, të cilit Naim Murseli i ka kërkuar një shumë të përafërt parash, me atë që i ofroi ekzekutorit të gruas së tij. Ushtari amerikan, i cili është rezident edhe në Prishtinë ka thënë se njihet prej vitesh me Naim Murselin.
Efektivi Donnie Lowery rrëfen sesi u njoh me Naim Murselin dhe sesi ky i fundit pak ditë para vrasjes së Liridona Ademajt i ka kërkuar një shumë të madhe parash, e cila është e përafërt me shumën që Murseli dyshohet se pagoi Granit Plavën për vrasjen e së shoqes.https://www.youtube.com/embed/3t984rAf_VQ
“E njoh Naim Murselin nga miqësia me presidentin Behxhet Pacolli. Pacollin e njoh prej shumë vitesh, që prej kohës kur tentuam të bashkëpunonim, për të sjellë në Kosovë brendin e McDonald’s, por përpjekja rezultoi e pasuksseshme. Dy vjet më parë Zoti Pacolli dhe Naimi erdhën në Majemi, të ftuar në dasmën e vajzës së Presidentit Trump, Tiffany Trump. U takova me Namin një ditë më pas dhe ky ishte takimi ynë i parë.”
Më tej efektivi amerikan tregon se çfarë e lidhi, për të mbajtur kontaktet me Murselin dhe se sa i shpeshtë ishte komunikimi i tyre.
“Me Naimin u takuam edhe një herë tjetër në Kosovë, pasi doja të blija një shtëpi në Prishtinë. Naimi do më ndihmonte me procedurat e blerjes së banesës dhe pas kësaj kam folur vetëm disa herë në telefon me të, asgjë përtej kësaj.”
Edhe pse komunikimi i tyre ka qenë i pakët Murseli disa ditë përpara vrasjes së Liridonës, i ka kërkuar efektivit amerikan një shumë të konsiderueshme parash, duke arsyetuar se gjendej përballë një problemi të madh. Madje i ka premtuar se do t’i kthejë dyfishin e huasë.
“Më telefonoi dy ose tre herë. Ishte shumë I shqetësuar, më kërkoi para dhe më sa se I duheshin sa më shpejt të ishte e mundur. Gjithashtu më premtoi se do të mi kthente sërish, madje dyfishin e parave që më kërkoi. Nuk kishte shanse t’i jepja para, nuk e besoja si njeri. E gjithë situata me dukej një marrëzi.”
Thotë se asnjëherë nuk i ka treguar arsyen se për çfarë e donte ato para. Por thotë se paratë nuk ia dha.
“Jo, në asnjë mënyrë Për mua është e çuditshme sepse ai ishte miku i Presidentit Pacolli. Përse duhet të më kërkonte mua ndihmë dhe para. E gjithë situate nuk kishte kuptim dhe më konfuzonte pafund. Si ka mundësi që një njeri që shoqërohet me njerëz që kanë pushtet dhe influencë të kërkojë ndihmë tek unë?”
Ndër të tjera, efektivi amerikan Donnie Lowery u shpreh se është i gatshëm të dëshmojë përpara Gjykatës së Prishtinës për shumën e parave që Naim Murseli i kërkoi disa ditë përpara vrasjes së Liridonës.
Nga ana tjetër, Gjykata Themelore e Prishtinës vendosi më 27 shkurt të lërë në paraburgim edhe për dy muaj të tjerë tre të dyshuarit për vrasjen e Liridonës, bashkëshortin e saj Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën. Naim Murseli akuzohet “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.