Deputeti i VV’së, Dimal Basha, është një nga personat që shpesh i sulmon mediat në Kosovë.
Ai sot në seancën e Kuvendit, ku u kërkua nga LDK që të tërhiqet projektligji për KPM’në, përdori gjuhë primitive.
Basha tha se qeveria aktuale “ua ka ndalë komplet tagjinë” mediave. Tagjia është ushqim që përdoret për kafshë dhe kjo gjuhë nuk është përzgjedhur rastësisht nga deputeti i VV’së.
“Kjo qeveri është e vetmja qeveri që ua ka ndalë komplet tagjinë dh asnjë cent nuk iu shkon më mediave. Kështu që, me dashtë me i kap kish vazhdu avazin e vjetër. Por, ndryshimi tregon se ne nuk jemi të asaj rruge dhe nuk kemi synim me kap”, ka thënë Basha.
“Ka rëndësi edhe kanihere kush fol. Për shembull e kemi Flutura Kusarin që del dhe do me ta diktu komplet Kuvendin e Kosovës qysh me bo ti një ligj për KPM-në, kur e njëjta në emër të lirisë së mediave del dhe i mbron Devollët në rrugë. Në emër të lirisë së mediave nuk mund me e mbrojt lirinë e oligarkëve , por as me e zhvat këtë Republikë”, ka thënë Basha.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. AGK ka thënë se ky është “një sulm i papranueshëm ndaj lirisë së medieve dhe pluralizimit medial në Kosovë”.
“Gjuha e zotit Basha, fatkeqësisht, është reflektim i qëndrimeve dhe politikave të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Qeverisë së Kosovës kundër lirisë së medieve, lirisë së shprehjes dhe pluralitetitit medial në Kosovë”.
Për të mos u mjaftuar me gjuhën e përdorur në Kuvend, Basha i ka reaguar AGK’së dhe i ka shpërndarë dy deklaratat e tij duke thënë se “të dy argumentet qëndrojnë”.https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdimalbasha1%2Fposts%2Fpfbid02BXRnYpDjwqf24ZRB8y3AFoL7GSCfL2YgxWMrgjkR9dYXqSaXuGCMoB2pGiqvZD6ml&show_text=true&width=500
Basha kishte ofenduar edhe moderatoren e RTK’së, Blerta Foniqi- Kabashi, derisa ishte i ftuar në emision dhe ajo e pyeti rreth çështjes së asociacionit – “a do të shkojë Asociacioni në Kushtetuese apo Kosova do të mbetet pa u anëtarësuar”.
“Për besë unë e shoh qysh e shoh secili shqiptar. Në RTS-in e Serbisë ata mujnë me pas shqetësim të vetëm Asociacionin . Në RTK-në e Kosovës nuk duhet me kanë veç Asociacioni…A ta shpjegova që ka marrëveshje Kosova? Pse po e bën temë a duhet me ba Asociacionin a jo? Na e dimë çka është tema kryesore”.
Moderatorja i kishte reaguar duke i thënë se kjo është fyerje.
“Asociacioni nuk është shqetësim i RTK’së e aq më pak i imi sepse po flisni me mua. Asocicacioni është kërkesë e ndërkombëtarëve”, iu kishte përgjigjur ajo ofendimit të Bashës. /GazetaExpress/