Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e tre personave nën dyshimin për veprat penale “mashtrim”, “falsifikim të dokumenteve” dhe “shpërlarje parash”. Për rastin në fjalë janë bllokuar rreth 180 mijë euro në llogari bankare, 39 banesa, 30 garazha dhe 17 parcela tokësore.
Sipas njoftimit të përbashkët me Policinë e Kosovës, për rastin janë kryer bastisje në pesë lokacione, katër në rajonin e Prishtinës dhe një në të Gjilanit.
“Bastisja është kryer me qëllim të gjetjes së dëshmive materiale dhe arrestimit të të dyshuarve të cilët dyshohet që në periudhën kohore 2020/2024 kanë kryer veprat penale ‘mashtrim’, ‘falsifikim i dokumenteve’ dhe ‘legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë, me të cilat veprime të dyshuarit dyshohet të kenë përfituar mjete materiale në vlera të mëdha të cilat më pas, me qëllim të futjes në sistemin financiar të RKS-së kanë kryer veprime të shumta me të cilat dyshohet të kenë konsumuar veprën penale ‘shpëlarja e parasë’”, thuhet në njoftim të autoriteteve.
Siç bëhet e ditur, pos tre të arrestuarve, një i dyshuar nuk është gjetur në vendbanimin e tij.
Gjatë bastisjes si dëshmi janë sekuestruar dokumente, armë, vetura, telefona e laptop.