Shkruan: Baton Haxhiu
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë ka dy probleme funksionale, që manifestohen si dy forca bllokuese të procesit. Serbia deklaron që nuk do të njohë de-facto Kosovën, pra nuk do të zbatojë nenin 4 të marrëveshjes si dhe nuk do të lejojë hapjen e misionit diplomatik të Kosovës në Beograd. Në anën tjetër, Kosova deklaron që do të themelojë Asociacionin, një obligim që derivon edhe nga Marrëveshja Bazike, vetëm nëse Serbia e nënshkruan Marrëveshjen Bazike dhe aneksin e zbatimit.
Në pamje të parë duket situatë e pashpresë dhe krijohet përshtypja që, për sa i përket dialogut, viti 2024 do të jetë si 2023. Pra, një situatë ku BE, si ndërmjetësues do të ngelë peng i sjelljes jo-konstruktive të palëve. Ky konstatim është i gabuar.
Përderisa palët do të vijojnë me po të njëjtat pozicione dhe kërkesa, ajo që do të ndryshojë në vitin 2024 është qasja dhe pozicioni i Bashkimit Evropian përballë palëve. Ky ndryshim është vendimtar jo vetëm për vitin 2024, por për dekadën e ardhshme pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellin zgjedhjet e sivjetme evropiane dhe ato amerikane.
Në ditët dhe javët në vijim, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Ministrave të BE-së edhe formalisht do të vendosin që zbatimi i Marrëveshjes Bazike dhe i aneksit të zbatimit të jetë kusht formal që duhet të përmbushet në procesin e integrimit për në BE, pra një kusht dhe detyrim shtesë në krye të kushteve dhe detyrimeve që Serbia dhe Kosova tashmë kanë.
Ky vendim i Komisionit Evropian dhe i Këshillit të Ministrave do ta ndryshojë komplet kontekstin politik. Pas këtij akti të formalizmit, themelimi i Asociacionit nuk do të jetë më vetëm detyrim kontraktual i Kosovës ndaj palës tjetër, por do të jetë edhe detyrim i veçantë i Kosovës ndaj Bashkimit Evropian. Ndërkaq, njohja de-facto e Kosovës nuk do të jetë më vetëm detyrim kontraktual i Serbisë ndaj palës tjetër, por do të jetë edhe detyrim i veçantë i Serbisë ndaj Bashkimit Evropian.
Për më tepër, këto detyrime të reja të palëve ndaj BE-së do të katapultohen në krye të radhës të detyrimeve ekzistuese, pra do të kthehen në element vendimtar të rrugës së mëtejme integruese. Një gjë që do të ketë ndikim direkt dhe të menjëhershëm në qasjen e Serbisë dhe të Kosovës në fondet e BE-së.
Në veçanti, sa i përket procesit të themelimit të Asociacionit, në këtë kontekst të ri politik të krijuar pas formalizmit të detyrimit të zbatimit të marrëveshjes, BE do të zyrtarizojë propozimin e vet të draft-statutit. Pra, ky draft statut do të publikohet në faqen zyrtare të Bashkimit Evropian, si propozim evropian për statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Duhet theksuar që ky hap do të jetë vendimtar në procesin e mëtejmë. Po ashtu duhet theksuar që nuk është i saktë interpretimi që draft-statuti do të bëhet merre ose lëre. Situata ka një nuancë më të thellë.
Zyrtarizimi draft-statutit si propozim evropian nënkupton që pranimi i këtij propozimi nga Qeveria e Kosovës po ashtu është detyrim formal në rrugën e integrimit. Pra, nuk ekziston opsioni “lëre”. Nëse Kosova nuk dëshiron të ecë tutje në themelimin e Asociacionit atëherë me mos marrjen e statutit Kosova indirekt heq dorë nga rruga drejt BE-së. Në terma praktik, kjo nënkupton që Kosova do të ngelë nën sanksione dhe me një komunikim dhe marrëdhënie tërësisht të paralizuar me BE-në.
Diçka e ngjashme, por në nuanca dhe detaje tjera, vlen edhe për Serbinë nëse vazhdon me kursin aktual.
Si konkludim, në vitin 2024, hapësira e Kosovës dhe e Serbisë për manovrime politike do të ngushtohet dukshëm. Zyrtarizmi i zbatimit të Marrëveshjes Bazike si kusht integral, formal dhe i detyrueshëm, në rrugën e integrimit qëndron më lart se nënshkrimi si një akt formal kontraktual. Pra, pavarësisht mos nënshkrimit të marrëveshjes nga Serbia, themelimi i Asociacionit do të jetë një detyrim formal i Kosovës ndaj BE-së. Po ashtu, pavarësisht deklarimeve pompoze në Beograd, elementet e njohjes de-facto të Kosovës do të jenë detyrim formal i Serbisë ndaj BE-së. Dhe këto detyrime do të ngelin pavarësisht ndryshimeve që mund të sjellin zgjedhjet evropiane dhe ato amerikane këtë vit./AlbanienPost/