Të paktën 65 të burgosur lufte ukrainas kanë mbetur të vdekur pas rrëzimit të aeroplanit transportues ushtarak rus, Ilyushin-76, shkruan BBC të mërkurën.
Aeroplani është rrëzuar në rajonin jugor të Belgorodit, në kufi me Ukrainën, sipas Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Agjencia e lajmeve Ria Novosti ka thënë se në bord kishte edhe nëntë persona të tjerë, përfshirë gjashtë anëtarë të ekuipazhit.
Guvernatori rajonal Vyacheslav Gladkov ka thënë se ishte në dijeni të një “incidenti”, por nuk dha detaje të mëtejshme.
Videoja e shpërndarë në mediat sociale tregoi aeroplanin duke u rrëzuar pranë fshatit Yablonovo i ndjekur nga një shpërthim, rreth orës 11:00 me orën lokale.