Të hënën pritet të mbahet takimi i radhës lidhur me zbatimin e rregullores së BQK-së që e afirmon euron si valutë të vetme për pagesa në Kosovë. Po në këtë ditë mbërrin skadimin edhe plani 10-pikësh i BQK-së për zbatimin e kësaj rregulloreje që përjashtonte masat ndëshkuese. Takimin që është paralajmëruar për të hënën, BE-ja e ka paraqitur si trenin e fundit që duhet ta zënë palët për pajtim lidhur me dinarin.
Plani 10-pikësh i Bankës Qendrore të Kosovës për zbatimin e Rregullores për Operacione me Para të Gatshme skadon këtë të diel, meqë të hënën tejkalohen tre muaj qëkur ka hyrë në fuqi.
Një nga masat lehtësuese më të rëndësishme sipas këtij plani, është mosaplikimi i gjobave e i masave administrative si ndalimi i importimi i valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi.
Në të njëjtën kohë për të hënën, është paraparë edhe takimi i radhës për dinarin në Bruksel.
Sipas analistit Visar Xani, edhe takimi i së hënës ka gjasa të përfundojë pa ndonjë marrëveshje, në qoftë se palët nuk tregojnë më shumë vullnet për dakordim sesa në takimet e kaluara.
“Edhe takimi i nesërm mund të jetë vetëm një takim i radhës nëse palët nuk pajtohen për kompromise dhe për propozimet evropiane, pasi që në të kaluarën edhe pse ka pasur përafrim, me gjasë vullneti politik dhe gatishmëria për të bërë kompromis nuk sjell edhe marrëveshje. Prandaj, konsideroj që duhet të kemi një qasje përmbyllëse për këtë proces, sepse po na shpenzon energji dhe presioni ndërkombëtar po shtohet karshi Kosovës për të bërë kompromise dhe marrëveshje”, ka deklaruar Xani.
Tek është shprehur kritik ndaj Qeverisë, ai ka thënë se duhet shmangur maksimalisht imponimi i çështjeve të brendshme të Kosovës në dialog.
Xani tha se përqendrimi në dialog nuk do të duhej të ishte në çështje teknike.
“Do të ishte gjë e mirë që në të ardhmen të mos përdorin praktika të cilat në kuptim strategjik mund të na fusin në tema teknike siç ishte kjo e dinarit me qëllim që t’i evitojmë këto çështje dhe të mos i bëjmë çështjet e brendshme target i diskutimeve teknike në Bruksel me qëllim që të kemi kompromise dhe të kemi marrëveshje të cilat duhet të marrin secila palë nga pak dhe që pastaj vendimet që janë sovrane të Kosovës të diskutohen në Bruksel”, ka shtuar ai.
Herën e kaluar kur pati takim për çështjen e dinarit në Bruksel më 25 prill, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, e pati quajtur propozimin e BE-së një përpjekje të mirë për të gjetur zgjidhje.
Delegacioni i Serbisë, i udhëhequr nga Petar Petkoviqi, siç kishte thënë Bislimi, ka paraqitur propozime shqetësuese.
E presidenti i Serbisë para dy javësh në një vizitë për punimet e një stadiumi u tha gazetarëve se ndërkombëtarët po insistojnë se Kosova ka të drejtë të vendosë lidhur me dinarin.
Ai paralajmëroi se do të ndërtohen edhe bankomate edhe në pika të tjera kufitare me Kosovën, përveç atyre aktuale që ndodhen në veri.
Qeveria e Kosovës e as BQK-ja nuk është përgjigjur lidhur me takimin e paralajmëruar për të hënën, e as nuk ka dhënë sqarime lidhur me zbatimin e masave që ndërlidhen me rregulloren e BQK-së.