Zyra e Kryeministrit ka njoftuar për takimin që ka pasur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi me Emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Në këtë takim, ZKM thotë se u diskua për dakordimin dhe përgatitjet për takimin e radhës në nivel të kryenegociatorëve, zhvillimet rreth hapjes së urës kryesore të Mitrovicës mbi lumin Ibër dhe rruga përpara me planin e sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Zbatimit.
Bislimi ka thënë se çështja e urës është trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, raporton Express.
“Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se hapja e urës kryesore të Mitrovicës mbi Ibër është çështje e trajtuar dhe dakorduar në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe se ajo duhet të hapet sipas marrëveshjes ekzistuese dhe konkluzioneve të vet raportit të Komisionit Evropian të vitit 2020, që vlerëson se punimet në urë kanë përfunduar dhe ajo duhet të hapet pa vonesa dhe pa pengesa të mëtejme”, thuhet në njoftim.
Tutje, Bislimi ka thënë se Qeveria së Republikës së Kosovës në vazhdimësi është angazhuar si palë konstruktive në dialog dhe se mbetet e përkushtuar për zbatim të plotë e të pakushtëzuar të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit dhe e bindur që “nënshkrimi i saj është garanca e duhur dhe nevojshme për zbatimin e plotë nga Serbia dhe llogaridhënien për shkeljet e vazhdueshme prej saj”.