Radio Evropa e Lirë në gjuhën serbe ka mësuar nga burime diplomatike se më 19 mars do të mbahet raundi i dialogut në nivel të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë.
Sipas këtyre burimeve, pritet që në këtë takim të diskutohet renditja e zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, si dhe çështje të tjera, duke përfshirë, ndoshta, përdorimin e valutës për pagesë në Kosovë apo siç po e quajnë tani, “çështja e dinarit”, transmeton Paparaci.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili ishte për një vizitë dyditore në Prishtinë, tashmë ka treguar se do të ketë një takim. Ai pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, tha se shpreson që qeveria e Kosovës të jetë më fleksibël gjatë një takimi për këtë çështje të martën e ardhshme, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Pas takimit me Kurtin, Escobar u tha gazetarëve se rregulloret e Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin “u sollën probleme disa qytetarëve të këtij vendi”, duke shtuar se SHBA janë “shumë të shqetësuara” për këtë.
“Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shikonte disa nga propozimet që i paraqita sot”, ka thënë Escobar.
Çështja e dinarit ka acaruar marrëdhëniet mes qeverisë së Kurtit dhe administratës amerikane, pasi zyrtarët amerikanë kanë thënë më herët se ekzekutivi i Kosovës nuk po i trajton ata si partnerë.