Deputeti i PDK’së, Abelard Tahiri, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kanë pasur disa pakënaqësi ndaj Ministrisë së Mbrojtjes por se kanë heshtur.
“Kemi heshtur përballë shumë pakënaqësive dhe parregullsive të cilat i kemi parë në vazhdimësi. Kemi heshtë kur kemi parë qysh është klasifikohet si sekret me ble kamionë në vlerë 4 milionë euro, e kuptoj që duhet me ble armatim dhe mjete të blinduara në mënyrë sekrete, por nuk e kuptoj qysh duhet me ble kamionë në mënyrë sekrete në vlerë 4 milionë euro kur i ki ma shumë se 20 kompani të Kosovës që shesin kamionë por nuk ki kompani që shesin mjete të blinduara. Kemi heshtë edhe kur e kemi parë se si e blejnë sistemin mobil për dezinsektim rreth 300 mijë euro në procedurë sekrete, jo me tender njëburimor, por me procedurë sekrete të cilën nuk e sheh askush. Kemi heshtë edhe kur e kemi parë që kualifikohet si sekret blerja e veshmbathjeve dhe pajisjeve në vlerë prej 3.5 milionë euro që zakonisht në të kaluarën janë blerë me oferta të hapura se ka shumë kompani në Kosovë që ofrojnë. Kemi heshtë kur i kemi parë blerjen e uniformave dhe atë bendin ceremonial që i kanë klasifiku rreth 3.5 milionë euro”, ka thënë Tahiri.
Ai i është drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, duke i thënë se ka “dezertuar”.
“Për të gjitha këto kemi pasur vërejtje por fakti që kanë ardhur nga ushtria e Kosovës nuk i kemi diskutuar dhe nuk i kemi nxjerrë për diskutim dhe kemi heshtë. Por sot kur e sheh të dezertuar nga detyra e tij ministrin e Mbrojtjes nuk mundesh me heshtë. Ministër, zoti Ejup Maqedonci, kudo që je, sot ke dezertu përballë detyrës tënde ma fisnike, sot mos me qenë në gjendje me ardhë në kuvend dhe me mbrojt punën dhe angazhimin tënd është e pa tolerueshme”, ka thënë ai.
Ai shtoi se më e pakta që duhet ta bëjë Maqedonci është dorëheqja. /GazetaExpress