Kryeparlamentari u kthye sot në sallën e Kuvendit të Kosovës, pas mungesës në tri seancat e fundit të jashtëzakonshme, të thirrura nga opozita.
Ndërsa ministrat dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje po vazhdojnë me bojkotimin e këtyre seancave, Glauk Konjufca nuk i ndoqi të tijët sot.
Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, e ngacmoi posa e mori fjalën në seancën e sotme të jashtëzakonshme, ku po diskutohet për menaxhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës, duke i thënë se ka marrë leje nga koordinatorja e komiteteve në LVV, Dejona Mihali.
“Faleminderit i nderuar kryetar i Kuvendit. Po më vjen mirë që ke ardhë dhe ta paska dhënë lejen Dejona që të vish këtu në sencë”, tha ajo.
Konjufca regoi menjëherë: “S’po më njihshe bash mirë, po nejse vazhdo”.
Deputeti i radhës që u paraqit në foltore, Hajdar Beqa i PDK-së, e nisi duke folur gjithashtu për kthimin e kryeparlamentarit në sallë.
“Sot paska ardhë kryetari, e përgëzoj. Deputetja paraprake e pyeti a e ke pyet Dejonën. Ky tha nuk po më njihshe mirë. E unë po të pyeti, kryetar, a ke ardhë me leje a pa leje dhe ishalla nuk ke najfarë ndëshkimi për këtë veprim. Megjithatë, të përgëzoj”, tha Beqa.
“Ruaju Hajdar se edhe ty të shkarkon Dejona”, ia ktheu Konjufca.
“Këqyre tash. Çka kam pa, sa veprimet i ka bë edhe në KEK, ndoshta i keni dhënë pushtet të madh e e ka kaluar edhe Kushtetutën”, tha më pas deputeti i PDK-së.