Veton Surroi, opinionist i njohur, ka shkruar një shkrim në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë në një botë të përçarë me aleanca të ndryshme e blloqe kundërshtare. Në shkrimin e titulluar “Në Merdar kufiri kinez”, që u botua Surroi ka arritur në përfundimin se “nuk është e mundur që Kosova dhe Serbia t’i normalzojë marrëdhëniet në kundërshtim” me vullnetin e Rusisë dhe Kinës.
E gjithë kjo analizë bazohet në “dinamikën e re gjeopolitike”, e cila në botëkuptimin e Surroit është një ndarje në mes bllokut liberal, të udhëhequr nga ShBA-ja, dhe bllokut autoritar, të udhëhëqur nga Kina e Rusia.
“Dinamika e re gjeopolitike e cila po ndërtohet në botën euro-aziatike përpiqet të thotë se ka qenë e mundur të çlirohet e të pavarësohet Kosova në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës, por nuk është e mundur që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet në kundërshtim me këtë vullnet” – ka shkruar Surroi.
Tutje, Surroi, që shërben si këshilltar i jashtëm në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, e ka quajtur raportin në mes Kosovës dhe Serbisë si një “konflikt të papërfunduar”.
“Në këtë çerek të shekullit XXI çështja e konfliktit të papërfunduar mes Kosovës dhe Serbisë ka kaluar prej kushteve të një bote unipolare të sundimit gjeopolitik të SHBA-së në një botë shumëpolëshe në të cilën paraqitet një superfuqi e re, Kina, dhe shumë fuqi të tjera të mesme që janë në proces të ndërtimit të aleancave të reja” – ka shkruar ai.
Surroi e thjeshtësoi edhe më tutje argumentin e tij.
“Apo thjeshtësuar: dëshirohet të duket sikur ka qenë e mundur të çlirohet e të pavarësohet Kosova në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës, por nuk është e mundur që Kosova dhe Serbia t’i normalizojnë marrëdhëniet në kundërshtim me vullnetin e Rusisë dhe Kinës” – ka argumentuar Surroi.
Në shkrimin e tij, Surroi ka komentuar edhe identitetin politik të Serbisë.
“Sot, në aspektin e vlerave identitare gjeopolitike, Serbia e qytetarëve të saj është më afër Rusisë e Kinës dhe më larg BE-së e NATO-s se ndonjëherë më parë. Rrjedhimisht, Serbia mund të dalë sikur po ia “dorëzon” Kinës dhe Rusisë vullnetin për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën agjendës së tyre për një balancë të re marrëdhëniesh ndërkombëtare. Në kësi konstelacioni Kosova është njëra prej pikave të agjendës së gjatë të fërkimit të ri gjeopolitik mes Kinës dhe SHBA-së (e me Rusinë si pjesë e botës së udhëhequr nga Kina)” – ka shkruar ai.