Një sulm izraelit në një shkollë që strehonte palestinezët e zhvendosur në pjesën qendrore të Gazës vrau dhjetëra njerëz të enjten, përfshirë 23 gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve shëndetësorë vendas. Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – po vepronin brenda shkollës.
Kjo erdhi pasi ushtria njoftoi një sulm të ri tokësor dhe ajror në disa kampe refugjatësh në pjesën qendrore të Gazës, duke synuar militantët e Hamasit që ushtria thotë se janë rigrupuar atje.
Dëshmitarët dhe zyrtarët e spitalit thanë se sulmi goditi shkollën al-Sardi, e drejtuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë- UNRWA.
Sipas dëshmitarëve, shkolla ishte e mbushur me palestinezë që kishin ikur nga ofensivat dhe bombardimet izraelite në pjesën veriore të Gazës veriore.
Ayman Rashed, një burrë i zhvendosur nga Gaza, i cili ishte strehuar në shkollë, tha se raketat goditën klasat në katin e dytë dhe të tretë ku familjet ishin strehuar.
Spitali i Martirëve Al-Aksa në qytetin e afërt të Deir al-Balah pranoi të paktën 30 të vdekur nga sulmi, gje gjashtë të tjerë nga një tjetër goditje në një shtëpi.
Spitali i Martirëve Al-Aksa në Deir al-Balah mori të paktën 30 trupa nga goditja në shkollën e drejtuar nga agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë – e njohur me shkurtesën UNRWA – dhe gjashtë të tjerë nga një goditje e veçantë në një shtëpi, sipas të dhënave të spitalit dhe një reporteri të Associated Press në spital.
Të dy sulmet ndodhën në Nuseirat, një prej kampeve të refugjatëve të ndërtuar në Gazë që daton nga lufta e vitit 1948.
Mohammed al-Kareem, një palestinez i zhvendosur, i strehuar pranë spitalit, përshkroi skena kaotike jashtë objektit.
Ai tha se automjetet mbërritën njëra pas tjetrës, pasi njerëzit e dëshpëruar nxituan të dërgonin të plagosurit në departamentin e urgjencës.
Videot që qarkullonin në internet dukeshin se tregonin disa njerëz të plagosur duke u trajtuar në dyshemenë e spitalit – një skenë e zakonshme në repartet mjekësore të mbingarkuar të Gazës.
Al-Kareem tha se ai pa njerëz që kërkonin të dashurit e tyre midis trupave dhe se një grua vazhdonte t’u kërkonte punonjësve mjekësorë të hapnin trupat e mbështjellur për të parë nëse djali i saj ishte brenda.
“Situata është tragjike”, tha ai.
Ushtria izraelite tha se militantët e Hamasit po e përdornin shkollën si strehë dhe prej aty po planifikonin sulme kundër trupave izraelite.
Ushtria publikoi një foto të shkollës, duke treguar klasat në katin e dytë dhe të tretë ku pretendonte se ndodheshin militantët.
Shkollat e UNRWA-së në të gjithë Gazën kanë funksionuar si strehimore që nga fillimi i luftës, e cila ka dëbuar nga shtëpitë e tyre shumicën e popullsisë së territorit prej 2.3 milionë banorësh.
Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë.
Pas këtij sulmi, nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi.
Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite./REL/