Dëme materiale janë shkaktuar si pasojë e stuhisë që ka përfshirë disa qytete të Kosovës të martën gjatë ditës.
Çatia e një objekti banesor në lagjen “Pejton” ka rënë mbi veturat e parkuara, si pasojë e frymës që mbizotëroi në Prishtinë.
Nuk raportohet për të lënduar. Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, i ka thënë KOHËS se tri automjete janë dëmtuar. Policia dhe ekipet emergjente janë parë në vendin ku ka ndodhur ngjarja. Malë Gashi nga Brigada e Zjarrfikësve në Prishtinë ka deklaruar për KOHËN se zjarrfikësit kanë shkuar në vendin e ngjarjes, por s’ka pasur nevojë për intervenim.
Erërat e forta e të shoqëruara me shi të rrëmbyeshëm kanë shkaktuar materiale edhe në objektin banesor afër Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Skenderaj. Aty ka rënë fasada e jashtme e një pjese të objektit duke dëmtuar veturat afër ndërtesës.
“Ekipet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike bashkë me zyrtarët policorë, kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, duke shirituar zonën e rrezikut dhe janë në gjendje gatishmërie për çdo situatë. Komuna e Skenderajt shumë shpejt do të ndërmarrë të gjitha veprimet për të sanuar dëmet e shkaktuara”, thuhet në njoftimin e komunës.
Më herët, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë thirrje të shmangen shëtitjet ose punët në natyrë dhe kaosi në komunikacion pasi gjatë së martës pritet të ketë stuhi dhe rrufe.
Stuhia ka goditur tërë rajonin. Më herët gjatë ditës u raportua se në Mal të Zi dy persona kanë humbur jetën si pasojë e stuhisë.