Shkruan: Edison Ypi
Pas ushtrie, meqënse nuk e kontrolloja sa duhej llapën, më kapte frika mos më spiunonin për këtë apo atë llaf llape. Me të kuptuar se nuk më spiunonin pjesërisht por totalisht, zura ment, e qepa përgjithmonë.
Spiuni banal, ai që përpos spiunllëkut s’kishte asgjë, asnjë shkollë, asnjë edukatë, asnjë traditë, nuk bëhej merak që e dinin se ishte spiun. Madje mburrej se duke qenë spiun, e kishin frikë.
Spiuni i zyrave s’bënte asnjë punë. Sillej kot. Askush s’guxonte t’ja vinte në dukje rendimentin zero në punë se e gjente belaja nga kundërsulmi i spiunit që me anë të disa trukeve verbale, brenda pak minutave e transferonte parazitizmin nga vetja te llërëpërveshuri që i thirri belasë të vinte, dhe belaja ja plotësoi dëshirën, erdhi.
Dy miq të vjetër ikën në 90-ën dhe më s’u dukën. S’lanë as telefon, as adresë, asgjë, as mua as ndonjë tjetri. Do ken’ qenë spiuna. S’ka spjegim tjetër. Sa bukur ishin maskuar shkërdhatat.
Kisha një mik. Nga një ndërmarrje në tjetrën me vite të tëra, nuk bëri asnjë punë. Por, meqënse ishte tepër agresiv ndaj refuzimit të Diktaturës, nuk dyshova kurrë. Tani pas kaq vitesh, duke sjellë në mendje disa momente të pashpjegueshme, kam nisur të dyshoj.
Me kalimin e kohës, instinkti i mbijetesës, më ndihmoi të kem një përfytyrim më të plotë për spiunin.
Spiuni ishte një zevzek me sy të lëvizshëm. Fliste ose shumë shpejt ose tepër ngadalë. Qeshte ose mrrylej befas, pa arsye. Kthente kokën majtas e djathtas pa shkak. Bënte gjoja sikur dinte ti binte kitarrës, sikur dinte këngë italiane ose greke, sikur mund të shkonte larg me not. Ndodhte që spiuni mbahej dhe për lexues i librave dhe filmave të ndaluar.
Spiunat, të gjithë, pa përjashtim tallnin dhe kërcënonin, Kadarenë si borgjez, si i largët me hallet e popullit, dhe ngrinin në qiell Agollin si miku që i gjendej në hall bujkut, puntorit, proletarit. Spiuna që të mos kërcënonin Kadarenë dhe të mos krenoheshin me Agollin, nuk kanë ekzistuar.
O sa kam qeshur pas 90-ës kur mora vesh se spiunat kishin pseudonime. Thoshin se zgjedhjen e pseudonimit e bënin sipas shijes së spiunit. Përndryshe spiuni çmendej.
Kur po udhëtoja një herë nga Librazhdi në Bulqizë ndala diku afër fshatit Ostren i Vogël. Pyeta një kalimtar:
Ç’bëhet spiuni që i premtoi ta ndihmojë të arratiset nga ky katund vëllanë tim, atë që pasi spiuni e spiunoi, e dënuan me 20 vjet burg politik ?
E kemi Kryetar të Partisë Demokratike – më tha me plot gojën gollobordasi anës udhës.
Qielli mu çjerr. Bota mu terr. Fryma mu ndal. Por ku ka spiuna ka shpresë. Ndoshta më gënjeu. Duhet verifikuar. Pak më tutje pyeta një tjetër. E njëjta përgjigje.
Frikë nga askush dhe nga të gjithë – spiuni dhe spiunllëku ishin shpikur pikërisht për t’ja arritur këtij qëllimi të skëterrshëm.
Afërmendësh të gjithë të ashtuquajturit “Heronj të Heshtur” ishin spiuna. Bashkë me të “heshturit”, spiuna edhe më të qelbët edhe më kriminalë ishin lukunia e zhurmëshme e shkrimtarëve, poetëve, regjizorëve, ata që spiunave u bënin fresk, u ngrinin këngë, u thurnin vargje, u bënin filma.
Të gjithë shefat e kuadrit ishin spiuna.
Të gjithë familjarët dhe farefisi i spiunave ishin spiuna.
Kishte dhe një hartë apo një gjeografi të dendësisë së spiunave në çdo krahinë të Shqipërisë.
S’po e zgjas me harta dhe gjeografira të spiunllëkut se më gjen belaja me rehatlinjtë e Fejsbukut.
Një gjë është e sigurt: Si për çdo talent: Spiun nuk bëhesh. Spiun lind.
Pa spiunuar dhe pa u spiunuar shqiptari nuk merr dot frymë, nuk i rreh zemra, nuk i bëjnë dritë sytë.
Isha betuar të mos e ndyj penën me ata muta. Por rreziku i harresës, sidomos prezenca e tepruar e spiunave të djeshëm në tollovinë e sotme, u bë sebep.
* Shkrim i botuar në Top Channel.