Në një hulumtim të fundit të Institutit të Prishtinës për Studime të Opinionit Publik (PIPOS), të prezantuar nga gazetari Adriatik Kelmendi në “Rubikon”, është vërejtur një rënie e ndjeshme e mbështetjes për Lëvizjen Vetëvendosje nëse zgjedhjet parlamentare do të mbaheshin këtë të diel. Sipas këtyre matjeve, Vetëvendosje ka shënuar rezultat prej 40.9 për qind, që do të ishte një rënie drastike në krahasim me performancën e saj në zgjedhjet e fundit.
Me 21.5 për qind , Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e dyta, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 20.4 për qind.

Kolicioni AAK-NISMA renditen në vendin e katërt në tabelë me 9 për qind, derisa Lista Guxo, sipas hulumtimit, do të përformonte shumë dobët me vetëm 0.4 për qind.
Krejt në fund renditen Partia Socialdemokrate dhe Alternativa me nga 0.1 për qind respektivisht.
Analiza e PIPOS gjithashtu shfaq një vlerësim të politikanëve, ku Kryeministri Albin Kurti mban kryemimin në pyetjen “Vlerësoni me notë politikanët ku 1 është nota më e keqe dhe 5 nota më e mirë”, me 3.07 për qind të vlerësimit.
Presidentja Vjosa Osmani renditet e dyta me një diferencë minimale prej vetëm 0.1 pikë përqindje më pak se kreu i qeverisë.
Nga liderët opozitarë, kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, vlerësohet me notën më të lartë (2.13 për qind). Pas tij renditet kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, me 2.05 për qind.
Kryetari i AKK-së, Ramush Haradinaj, renditet i pesti në vlerësim me 1.89 për qind.
Hulumtimi i PIPOS gjithashtu ka treguar se ekonomia zë vendin e parë në listën e fushave ku ka vërejtur ngecje më të mëdha gjatë qeverisjes së tanishme, me 30 për qind.
Shëndetësia dhe arsimi ndajnë vendin e dytë me nga 19.3 për qind, ndërsa bujqësia, energjetika dhe sundimi i ligjit janë cilësuar si fushat tjera me ngecje të qeverisë Kurti.