Gjykata Themelore në Prishtinë më 5 dhjetor 2023 e ka liruar nga akuza për mosraportim të pasurisë, Skender Hysenin, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës.
Hyseni akuzohej se në cilësi të Koordinatorit Shtetëror për Dialog në Zyrën e Kryeministrit, nuk e ka deklaruar veturën e tipit “Volkswagen”, në vlerë 13 mijë e 300 euro, në pronësi të bashkëshortes së tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit të plotë të Themelores, thuhet se duke vepruar në zbatimin e drejtë dhe të saktë të dispozitave ligjore, me bindje të lirë, Gjykata në mungesë të provave ka ardhur në përfundim se me veprimet e tij, nuk është provuar se Hyseni ka kryer veprën penale.
Gjykata thekson se pohimi i Prokurorisë se Hyseni me dashje ka kryer veprën penale ishte vetëm një dyshim, i cili nuk ka mbështetje në asnjë provë të besueshme-relevante.