Sindikata e Policisë së Kosovës nëpërmjet një reagimi të martën ka thënë se nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga Qeveria për rritjen e pagave.
Por Sindikata ka vlerësuar se rritja nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke marrë parasysh inflacionin.
“Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) nuk pajtohet me vlerën e propozuar nga qeveria për rritjen e pagave. SPK përshëndet çdo vendim të Qeverisë për rritjen e pagave në sektorin publik dhe mbështet idenë që kjo rritje të jetë lineare për të gjithë punonjësit. Megjithatë, SPK vlerëson se shuma e propozuar për këtë rritje nuk përkon me nevojat reale të punonjësve, duke pasur parasysh inflacionin dhe rritjen e çmimeve, si dhe nivelin e pagave të policisë në shtetet e rajonit tonë”, thuhet në reagim.
Sindikata ka kërkuar që rritja e pagave të bëhet duke përfshirë rritje totale prej dy koeficientesh.
“Duke u nisur nga këta faktorë, SPK kërkon që rritja e pagave për vitin 2025 të realizohet duke përfshirë një rritje totale prej dy koeficientësh. Konkretisht, sugjerohet që rritja e parë të zbatohet në janar për një koeficient dhe e dyta në qershor për një koeficient shtesë. Kjo qasje do të siguronte një mbështetje të qëndrueshme ekonomike për punonjësit tanë, duke përputhur pagat me rritjen e kostos së jetesës dhe me standardet e rajonit”, vijon tutje reagimi.