Është shtyrë seanca fillestare në gjykimin në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, e cila ishte paraparë të mbahej sot.
Avokatët kanë thënë se nuk i kanë pranuar të gjitha shkresat e lëndës dhe nuk kanë arritur t’i shqyrtojnë ato.
Shqyrtimi fillestar pritet të mbahet më 31 janar në orën 11:00.
Ndrec Gjonaj, avokati i Kushtrim Kokallës – njëri prej të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt, ka thënë se për shkak të numrit të madh të shkresave të lëndës dhe kohës së pamjaftueshme për t’i lexuar ato, nuk ka mundur ta këshillojë klientin e tij se si të deklarohet.
Kështu është shprehur ai në shqyrtimin fillestar, në gjykimin që po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tom Dodajt.
“Është një numër i madh i shkresave (v.j. të lëndës), e pamundur që të lexohen brenda një periudhe të shkurtër, as nuk jemi në gjendje si ta këshilloj klientin tim se si të deklarohet, e as nuk jam gjendje t’i kundërshtoj”, ka thënë Dodaj sipas një burimi të KOHËS brenda sallës.
Edhe avokati i të akuzuarit Tomë Dodaj, ka thënë se si mbrojtje nuk mund të deklarohen, rreth fajësisë.
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot ishte paraparë të po mbahet shqyrtimi fillestar në rastin ndaj Naim Murselit, Granit Plavës, Kushtrim Kokallës dhe Tomë Dodajt, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, që ndodhi më 29 nëntor 2023.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 15 janar 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Murselit, Granit, Kokallës dhe Dodajt.
Në aktakuzën e Prokurorisë, thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.