“Kthema adresën”, “Duam libra shqip”, “Dija nuk nostrifikohet”, “Të shtypur po, të nënshtruar jo”, kanë qenë disa nga pankartata që kanë mbajtur në duar protestuesit shqiptarë në Luginë të Preshevës, në protestën e organizuar kundër diskriminimit nga Beogradi.
Protesta e cila është mbajtur në Bujanoc ka nisur me intonimin e himnit kombëtar.
Në të kanë marr pjesë edhe deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kamberi: Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona
Protestuesve u është drejtuar deputeti shqiptar Kamberi i cili ka thënë se diskriminimi si dukuri është i ndaluar për shoqëritë demokratike, siç ka thënë ai, sidomos për një shoqëri që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ai ka thënë se Beogradi zyrtar po diskriminon serbët lokalë për inate të shqiptarëve.
Kamberi ka thënë se Beogradi zyrtar po diskriminon serbët lokalë për inate të shqiptarëve. “Jemi këtu sepse Qeveria në Beograd po refuzon të respektojë të drejtat tona, po refuzon të na integrojë në organet shtetërore në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, është shprehur Kamberi.
Ndërsa profesori i gjuhës shqipe, Llukman Misini, ka folur për mungesën e teksteve shkollore.
“Në mungesë te teksteve shkollore, profesorët japin mësim në mënyrë alternative. Vendet e rajonit përdorin mjete të avancuara në sistemin mësimor. Neve po vazhdon të na mohohet sigurimi i teksteve shkollore. Po na ndalohet historia si lëndë. Po na ndalohet lënda e gjeografisë”, ka deklaruar ai.
Studenti Enis Fejzullahu, ka folur për mosnjohjen e diplomave nga shteti i Serbisë.
“Studentin e Luginës së Preshevës gjatë gjithë kohës së studimeve e pas diplomimit e përcjell barra e mosnjohjes së diplomës, brenga se çka pas përfundimit të studimeve e frika që nuk do të mund të ushtrojë profesionin e tij, në vendin e tij”, ka theskuar ai.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar Nevzad Lutfiu, ka thënë se nga 24 komunitete që jetojnë në Serbi, asnjëri si ka sfidat e komunitetit shqiptar.
“Ne jetojmë brenda një shteti ku etnia më e urryer janë shqiptarët, edhe pse ne jemi në tokat tona, nuk i kemi uzurpuar, përkundrazi kemi qenë shumë më shumë sesa jemi sot dhe shumë me gjerë sesa jemi sot”, ka deklaruar Lutfiu, duke thënë se padrejtësia në Luginë është evidente në çdo gjë.