Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në platformën ‘X’ ka komentuar deklaratat e fundit të Kurtit.
Kjo ndërlidhur me deklarimet rreth luftës së pari, e më pas rreth zgjedhjeve.
Ahmeti ka thënë se deklaratat e tilla janë më së paku të papërgjegjshme.
“Në njërën anë me thënë që jemi pranë luftës, e në anën tjetër me thënë kur të doni bëjmë zgjedhje është së paku e papërgjegjshme” tha ai përmes një postimi.
“Ja nuk është i sinqertë paralajmërimi dhe rreziku prej invazionit, ja nuk është e sinqertë oferta për zghedhje. Sipas meje e para!”, tha ai.
Kryeministri pak ditë më parë publikoi pamje të ushtrisë serbe afër kufirit me Kosovën.
Kurti ka publikuar një video dhe ka thënë se lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën. Ai theksoi se janë duke u vëzhguar me kujdes nese këto forca do të përpiqen ta kalojnë kufirin dhe shtoi se edhe ky afrim i automjeteve të tyre ushtarake nuk është normal.
“Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën”, tha Kurti.
E disa ditë pas kësaj deklarate, ai kërkoi nga opozita që të bëjnë mocion për rrëzimin e tij.
Pikërisht në tre vjetorin e Qeverisjes së tij kryeministri Albin Kurti paraqiti një ofertë për opozitën për ta çuan vendin në zgjedhje të parakohshme.
Sipas Kurtit, partia e tij Vetëvendosje do t’i ndihmojë opozitës për t’i siguruar votat e nevojshme.
“Kjo është ofertë e imja. Unë them që shkojmë në zgjedhje kur opozita dëshiron. Ne i ndihmojmë opozitës nëse duan të shkojmë në zgjedhje. Ne jemi gjithmonë gati”, tha Kurti.
Opozita e cila ka kohë që po kërkon zgjedhje të jashtëzakonshme, këtë ofertë të Kurtit e ka parë si dorëzim të tij përpara dështimeve.