Një konkurs i fundit në Podujevën e VV’së ka rezultuar me punësimin e mbesës së Shpejtim Bulliqit. Vajza e motrës së kryetarit llapjan, Fitore Zejnullahu është rehatuar në pozitën e infermieres, në Qendrën Rezidenciale në Podujevë. Insajderi ju sjell detaje.
Dje, me datën 18 nëntor, janë shpallur rezultatet në konkursin për pozitën “Infermier/e i përgjithshëm në Qendrën Rezidenciale- Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Në këtë konkurs, janë pranuar gjashtë kandidatë fitues me më së shumti pikë.
Kandidate fituese në mesin e gjashtë të tjerëve është përzgjedhur edhe Fitore Zejnullahu, për pozitën Infermiere.
Fitore Zejnullahu ka arritur 89.76 pikë.
Fitore Zejnullahu është mbesa e kryetarit të Podujevës, Shpejtim Bulliqit. Më saktësisht vajza e motrës së Bulliqit.
Kjo dëshmohet edhe me anë të komenteve e postimeve të ndryshme.
Në vitin 2018, kryetari Shpejtim Bulliqi, kishte ndarë një foto familjare ku ia kishte uruar ditëlindjen babës së tij.
“Urime ditëlindja babë, paçe shëndet e jetë të gjatë pranë nesh! Me dashuri mbesat dhe nipat e tu”, thuhej në postim.
Në këtë postim kishte komentuar, Fitorja, e cila e uron gjyshin e saj.
“Urime për gjyshin tonë, ishalla edhe shumë tjera”, kishte shkruar ajo.
Por, pse Fitore Zejnullahu, ka ndërruar mbiemrin në Facebook, nga Zejnullahu, duke e bërë Gashi?
Drejtoresha e Shëndetësisë, Adelina Stublla, në vitin 2021 kishte ndarë një postim ku shfaqej me disa infermierë.
Komenti i Fitore Zejnullahut, mori vëmendjen, duke u shfaqur me Fitore Gashin.
Mirëpo asaj kohe kur i ishte bërë “replay” nga Drejtoresha e Shëndetësisë, i ishte shfaqur emri dhe mbiemri i vërtetë, Fitore Zejnullahu.
Madje në një foto të Drejtoreshës për Shëndetësi, Adelina Stubllës, Fitore Zejnullahu, shihet në shoqërinë e saj dhe dy asamblistëve të Vetëvendosjes në komunën e Podujevës, Artrit Mulliqit.
Ndërkohë që nuk dihet arsyeja pse Fitore Zejnullahu, ka ndërruar mbiemrin e saj në profilin e Facebook.
Gazeta Insajderi ka provuar të kontaktojë me kryetarin Shpejtim Bulliqi, se a ka pas ndonjë konflikt interesi në punësimin e mbesës së tij, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka kthyer përgjigje.
Insajderi poashtu i ka dërguar pyetje edhe vetë Fitore Zejnullahut, mirë po e njëjta, nuk ka kthyer përgjigje.
Raste ku janë raportuar shkeljet brenda konkurseve të ndryshme për të punësuar njerëz të afërt me partitë në pushte janë raportuar gjithmonë si zhgënjyes për personat të cilët shkollohen dhe presin që një ditë të punësohet pas pasur nevoje për dikë të njohshëm.
Djali, vajza, nipat e mbesat kanë përfituar jo rrallë herë nga politik-bërësit, e sidomos ata të pushtetit në vend./Insajderi.org