Me kërkesë të prokurorisë gjykata e Tiranës ka caktuar 7 masa “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje” për mjekë të spitalit Onkologjik.
Këta shtetas kanë qenë të punësuar në spitalin shtetëror “Nënë Tereza” si mjekë onkologë dhe duke përdorur detyrën e vet nuk jepnin shërbimin e duhur në spitalin shtetëror por i orientonin pacientët në spitale private për të marrë shërbimin që kërkohej nga ana e atyre.
Gjithashtu në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë por nuk vendosej në punë dhe ishte jashtë kushteve të përdorshmërisë duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit është bërë e mundur që ky burim të zhvendosej dhe të vendosej në dhomën adapte.
Është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash kontrbandë të dyshuara dhe të falsifikuara dhe një shumë lekësh prej 10000 Euro në subjektin farmaceutik “Flori Farma”.
Në kuadër të operacionit “Kobalti” u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest shtëpie” dhe detyrim paraqitje si më poshtë vijon:
-Edmond Gashi (Mjek pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT) akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Arrest shtëpie”.
-Emiljano Lela (Koordinator pranë Spitalit Onkologjik ne QSUNT), akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”,
-Alketa Ymeri(Pere), (Mjeke pranë Spitalit Onkologjik në QSUNT), akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
-Brikena Qirjazi (Zv/Drejtoreshë në QSUNT e ngarkuar me detyra për shërbimin onkologjik), akuzohet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” . Ndaj saj u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
–Halil Gashi akuzohet për veprën penale të “Fshehjes së të ardhurave”. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje”.
–Florian Marku, administrator i Flori Farma, akuzohet për veprën penale të “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabande” dhe “Ruajtja ose depozitimi i mallrave që janë kontrabandë”. Ndaj tij u vendos masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Është bërë sekuestrimi i klinikës mjekësore “Megis” me nr.Nipt:L92225026K dhe i është komunikuar që nuk duhet të ushtrojë aktivitetin deri në një moment të dytë.
Për shtetasen Drilona Kishta për të cilën ishte vendosur masa e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për veprën penale “Shpërdorim Detyre” nuk është bërë ekzekutimi i vendimit penal pasi kjo shtetase ka qenë jashtë shtetit dhe është vendosur njoftim në kufi.