Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka bërë të ditur se gjatë së hënës ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Ai për Ekonomia Online tha se kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shkëputur përfundimisht, për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim.
“E para që duhet të them është që Ministria e Bujqësisë ka vështirësi seriozë me hapësirat për zyrtarët që i posedon e një numër i tyre tashmë është secilën herë duke u rritur për shkak të arritjes së objektivave që i synojmë ne në sektorin e Bujqësisë. E dyta i kam dëgjuar deklaratat e zyrtarëve të AAK-së edhe në mundemi me fakte me i demantuar për shkak se kontrata paraprake ka qenë hapësira me të cilën ata e kanë shfrytëzuar afër 1 mijë metër katror. Ndërsa është revidu kontrata duke i liruar dikun rreth 411 metra katror, por edhe 200 të tjera do të thotë bëhet fjalë për pjesën e podrumit që ka qenë e shfrytëzueshme prej tyre por nuk ka qenë pjesë e kontratës. “Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korret dhe gjeneroz, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marr vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë Peci.
Peci shprehet i bindur se në një periudhë të shkurtër i gjithë objekti ku gjendet AAK-ja do të jetë në dispozicion të dikasterit që ai e drejton.