Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje që autorët e sulmit ndaj kanalit të sistemit Ibër-Lepenc në veri të Kosovës, i cili ndodhi muajin e kaluar, të sillen para drejtësisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Gjatë një konference për shtyp në Bruksel me kryeministrin malazez, Millojko Spajiq, Rutte theksoi se ky incident nxjerr në pah dobësinë e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
“Sulmi në kanalin ujor në veri të Kosovës, më 29 nëntor, nënvizon se sa i brishtë është stabiliteti në Ballkanin Perëndimor”, tha Rutte gjatë një konference shtypi me kryeministrin e Malit të Zi, Millojko Spajiq, në Bruksel.
Sulmi i 29 nëntorit në Varagë të Zubin Potokut vuri rrezik një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës kritike të vendit. Sipas autoriteteve, shpërthimi ishte rezultat i vendosjes së rreth 20 kilogramëve eksploziv, duke e bërë atë një nga aktet më serioze ndaj infrastrukturës që prej përfundimit të luftës së viteve 1998-1999.