“Të interesuar të demonstrojnë pushtet e jo t’u shërbejnë qytetarëve të vet”.
Kështu përkthehen në leximin amerikan ‘veprimet e pakoordinuara’ të qeverisë kosovare, tha sot Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit, Jim O’Brien, m’u para se të niset për Kosovën në vizitë zyrtare të paparalajmëruar.
Duke folur për Radio Televizionin e Serbisë (RTS), O’Brien, foli për pasojat që kanë rënduar mbi Kosovën si pasojë e veprimeve të pakonsultuara me partnerët e saj, përkatësisht me Shtetetet e Bashkuara të Amerikës.
Pasoja ‘më e madhe’, tha ai, ishte moslejimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës.
“Sa për atë nëse gjërat janë të koordinuara ose jo, unë veçse publikisht kam thënë që sjellja e qeverisë në Prishtinë – ato (veprimet) nuk po koordinohen me neve partnerët, e as me NATO-n”, tha Jim O’Brien.
“Rrjedhimisht, dyshimi ngritet që kjo qeveri (e Kosovës) është më shumë e interesuar të demonstrojë fuqi se sa të lejojë jetë të përditshme normale për komunitetet loale dhe popullin e vet”, tha Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit.
Por e tëra kjo, vazhdoi O’Brien, ka pasoja: më së theksueshmi përmendi Këshillin e Evropës.
“Por, për këtë ka pasoja, dhe më e madhja ishte që shtete të mëdha evropiane nuk e lanë Kosovën të anëtarësohej në Këshill të Evropës. Dhe krejt kjo për shkak se nuk ka koordinim”, ka thënë O’Brien.
Për arsyen e vizitë së tij në Prishtinë, ai u ndal te çështja e lëvizjes edhe më të lirë të mallrave: për të cilën së pari e vlerësoi si “lajm të mirë” heqjen e ndalesës.
Kalimi ende bëhet vetëm në pikëkalimin kufitar të Merdares dhe me kontrolle të rrepta manuale për maunet dhe kamionet me mallra serbe.
O’Brien iu kthye Asociacionit: për çka kërkoi që të procedohet me miratimin e draft-Statutit të Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe dhe dërgimin e tekstit për rishikim kushtetuese në Gjykatë Kushtetuese.
“Asociacioni është hap i rëndësishëm, është e rëndësishme të ketë progrres para se Asociacioni të themelohet. Është e rëndësishme që njerëzit të jetojnë normal, që të regjistrohen martesa e fëmijët, dhe punojmë në këto në të njëtjën kohë”.
“Obligimet kanë ekzistuar që nga 2015, kur u nënshkrua marrëveshja e parë, por ne s’mund të premtojmë afate, por më e rëndësishmja është që serbët të jetojnë si qytetarë normal të Evropës”, ka thënë O’Brien.
Sot O’Brien zhvillon takim në Kosovë me kryeministrin e vendit Albin Kurti, pas takimit në Beograd me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Ky i fundit dje njoftoi për takimin me O’Brien, për çka vazhdoi në mantrën e tij se serbët e Kosovës “jetojnë në gjendje të rëndë”.
“Theksova nevojën për një angazhim më të madh të SHBA-së në këtë çështje, pasi që një mbështetje më e fortë dhe pjesëmarrje më aktive e Shteteve të Bashkuara mund të kontribuojë në stabilitetin dhe sigurinë në rajon”, tha Vuçiqi.
“Unë shpreha gatishmërinë time për të kërkuar zgjidhje të qëndrueshme së bashku dhe stabilitetin dhe prosperitetin e qëndrueshëm të Ballkanit Perëndimor, si dhe shpresën se dinamika e dialogut dhe bashkëpunimit rajonal do të vazhdojë me mbështetjen e SHBA-së dhe BE-së”, shtoi Vuiçiqi. Nacionale/