Ndihmëssekretari për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Todd D. Robinson, ka qenë i pranishëm në donacionin prej gjashtë milionë dollarëve të SHBA-së për projektin e pajisjeve audio-vizuele për gjykatat dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës.
Robinson ka thënë se digjitalizimi i gjykatave është e ardhmja.
“Jam i nderuar që të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të pajisjeve audio-vizuele. E përgëzoj KGJK-në dhe SHKK-në për përpjekjet e tyre që ky projekt të realizohet. Ka shumë përfitime nga kjo teknologji. Ofron transkriptim të procedurave gjyqësore. Digjitalizimi i gjykatave është e ardhmja. Teknologjia do t’iu mundësojë dëshmitarëve të cenuar për t’u paraqitur në gjykata. Kur të funksionalizohet plotësisht do të zvogëlohet nevoja e transferimit të të burgosurve në gjykata përfshirë atyre me rrezik të lartë”, ka thënë ai.
Ndërkohë, kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Albert Zogaj, ka thënë se këto pajisje do ta ndihmojnë transparencën e gjyqësorit.
“Dy dekada më parë ne bashkë me partnerët ndërkombëtarë ndërtuam institucionet e pavarura dhe pranuam vlerat më demokratike të sistemit gjyqësor. Pavarësia e sistemit gjyqësor dhe llogaridhënia mbetën çështjet më të rëndësishme. Transparenca e gjyqësorit besojmë që është një pikë e fortë e sistemit tonë në Kosovë. Kontributi dhe ndihma që ka dhënë INL për instalimin e pajisjeve të incizimit e ndihmon në masë të konsiderueshëm transparencën. Jep një mbrojtje dhe siguri të veçantë siç janë dëshmitarët e mbrojtur”, është shprehur Zogaj.
Ismet Dibrani, drejtor i SHKK-së, ka thënë se projekti i sotëm është ndër donacionet më të rëndësishme të SHBA-së.
“Sot shërbimi korrektues nga shumë organizata ndërkombëtare cilësohet si storje suksesi, natyrisht me mbështetjen e SHBA-së. Donacioni i sotëm është ndër donacionet më të rëndësishme. Do të zvogëlojë nevojën për transport nga gjykata dhe burgjet duke bërë që seancat të jenë me efeciente. Mbështetja e qeverisë amerikane ka qenë dhe mbetet qenësore për shërbimin korrektues”, ka deklaruar Dibrani.