ShBA-ja dhe BE-ja nuk kanë lëvizur nga kërkesa e tyre urgjente që Kosova ta dërgon draft-statutin e Asociacionit në Gjykatë Kushtetuese.
Ndonëse Qeveria ende nuk ka bërë ndonjë lëvizje në këtë drejtim, ShBA-ja dhe BE-ja ka thënë se nuk e pranojnë asnjë arsyetim të Qeverisë për të zvarritur këtë çështje.
Këtë kërkesë Qeveria ia ka përsëritur edhe emisari i ShBA-së, Gabriel Escobar, një ditë para vizitës në Prishtinë, ku do të takohet liderët institucionalë.
Një konferencë online me gazetarë, ai ka thënë se kjo çështje duhet të dërgohet në Kushtetuese sa më parë.
“Është thjeshtë mundësia për komunat, komunat me shumicë serbe që të koordinohen, në gjuhën serbe, për qytetarë të Kosovës. Është ligjërisht i obligueshëm. Kemi dëgjuar shumë arsye pse s’është dërguar në Kushtetuese, apo ecur përpara, por ne i refuzojmë të gjitha, duhet të ecë përpara sa më parë. Besojmë që e gjithë çështja e dinarit do të zgjidhej përmes Asociacionit.”, ka thënë Escobar.
Të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe emisari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajkaç.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, diplomati evropian ka thënë se dërgimi i draftit në Kushtetuese është sinjal për largimin e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.
“Reagimi im i menjëhershëm pas Banjskës ishte thirrja për heqjen e masave për hir solidariteti. Kam pasur shumë diskutime për këtë temë brenda strukturave të BE-së, por edhe me shtetet anëtare dhe jo të gjithë e ndanin pikëpamjen time, pasi që ndjenja e ndarë nga shumë anëtarë është se BE-ja dëshiron të shohë një sinjal të qartë pozitiv nga qeveria e Kosovës. Një nga ato opsione që sigurisht do të konsiderohej si sinjal pozitiv ishte mundësimi i zgjedhjeve të reja të shpejta lokale në veri të Kosovës dhe mënyra më e shpejtë vazhdon të jetë dorëheqja e kryetarëve të komunave. Një sinjal tjetër pozitiv do të ishte dërgimi i Draft Statutit Evropian për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim ligjor. Fatkeqësisht, asnjë nga këto nuk ka ndodhur”, ka thënë Lajçak.
Deri me tani kjo kërkesë e ShBA-së dhe BE-së ka hasur në vesh të shurdhër. Askush prej Qeverisë së Kosovës nuk ka dhënë ndonjë arsyetim për mosdërgimin e dokumentit në fjalë në Kushtetuese.
Ditë më parë, shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka dhënë një shpjegim për këtë gjë.
Ajo ka thënë se ky veprim nuk do të ndërmerret derisa BE-ja t`i marrë parasysh komentet e palës kosovare për draftin.
“Kërkesë e përhershme ka mbetur gjatë gjithë kohës ose në baza periodike është përmendur domosdoshmëria e dërgimit të statutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, gjë e cila nuk është bërë pasi është pritur të ketë reflektimi në komentet që pala kosovare i ka dorëzuar te ndërmjetësi për draft-statutin e Asociacionit”, ka thënë ajo.
Sipas saj, paraprakisht duhet të ndodhin disa ndryshime në terren.
“Nuk është se në terren do të ndryshohej shumë situata sikur draft-statuti të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. Në terren ndryshohet situata kur të ketë normalitet në funksionimin e jetës siç shihet dhe është çdo vend në Kosovë. Kur qytetarët kanë siguri, evidencat e fundit tregojnë se është rritur siguria në katër komunat në veri të vendit. Po ashtu, të fillohet të kryhen obligimet ndaj kompanive që ofrojnë shërbime publike. Të fillojë dhe të vazhdojë në kontinuitet funksionimi i mirëfilltë i qeverisjes lokale, jo në shërbim të grupeve të caktuara të interesit, por të gjithë qytetarëve pa dallim, siç po ndodh tani. Natyrisht, pas procesit zgjedhor pastaj të shikohen hapat të tjerë”, ka thënë Kusari-Lila për “Kosovapress”.