Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka thënë se në përvjetorët e çlirimit duhet të kujtohen dhe përmenden pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë. Ai ka theksuar se në ceremoninë qendrore të shënimit të 25-vjetorit të mërkurën, u dha një mesazh shqetësues.
Shala ka shtuar se ishte joetike nga ana e kryeministrit Albin Kurti që të mos përmendte ish-liderët e UÇK-së që janë në Hagë.
“Sot e dëgjova ambasadorin amerikan, tha ‘ndihem krenar me 25 vitëshin e pasluftës’. Nëse SHBA ndihen krenarë me luftën tonë, të arriturat tona, cili është ai lider politik që nuk do duhej të ndihej krenar apo e përfaqëson një narracion tjetër që bie ndesh me këtë koncept. Kryeministri duhet të ndihet krenar dhe ta pranojë publikisht, duhet ta kalojë vetveten dhe teket personale, kryeministri duhet ta dijë se pa gjakun e dëshmorëve dhe pa luftën e UÇK-së nuk do të ishte ai kryeministër. Është joetike që në Ditën e Çlirimit të mos gjejë forcë ta tejkalojë vetveten dhe t’i përmendë liderët që e kanë shpallë shtetin, që e kanë sjellë lirinë, që ia kanë mundësuar edhe atij në një formë të jetë edhe ai kryeministër”, ka thënë ai.
Shala ka potencuar se liderët aktualë të shtetit kanë mbetur në një, siç e ka quajtur ai, format të kufizuar intelektualisht dhe politikisht.
“Nuk kisha mundur të besoj se 25 vjet pas çlirimit vendi jonë të mbetet me mentalitet të para 30 vjetëve të diferencave dhe xhelozive politike personale, egove thjesht politike. Ne duhet të ndryshojmë sepse po reflekton edhe në skenën ndërkombëtare”.
Mungesa e figurave të larta shtetërore perëndimore në ceremoninë e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit, Shala ka thënë se ka dhënë mesazh shqetësues. Sipas tij, domosdoshmërisht duhet kthyer kah partneriteti i ngushtë me SHBA-në dhe aleatët e tjerë.
“Ne sot nuk pamë liderë të shteteve, pamë liderë evropianë politikë, nuk pamë kryetarë të SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë a Francës. Pamë gjeneratë e veteranëve politikë, por edhe ky ishte mesazh shqetësues. Sot ishte mesazh shqetësues”, është shprehur Shala.