Profesori i John Hopkins, Daniel Serwer, ka reaguar pas paralajmërimeve të inteligjencës amerikane se mund të ketë rrezik në Ballkan.
Serwer ka shkruar se në veri të Kosovës ka një agresor, dhe ai është Serbia.
“Kjo është e gabuar. Një incident ishte një sulm serb ndaj trupave të NATO-s. Në një incident të veçantë, Policia e Kosovës ndaloi me sukses një komplot serb që synonte të krijonte një justifikim për një avancim ushtarak serb në Kosovë. Ka një agresor në veri të Kosovës. Duhet ta kemi të qartë se kush”, tha Serwer në një koment në X ndaj një postimi të Jakub Bielamowicz nga një think-tank, i cili kishte ndarë dy rreshtat kyçë të raportit ku flitej për Kosovën dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ndryshe sipas atyre raporteve mund të ketë konflikt ndër-etnik në Ballkan.
Kështu thuhet në raportin e fundit vjetor nga Zyra e Drejtorit të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara.
Në një dokument prej 40 faqesh, analizohen fusha dhe sektorë të ndryshëm si marrëdhëniet me vende si Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut, por edhe konfliktet aktuale në botë, imigracioni, trafikimi i qenieve njerëzore dhe terrorizmi.
Ballkani Perëndimor, veçanërisht Bosnje-Hercegovina dhe Kosova, përmenden në kapitullin “Konfliktet dhe paqëndrueshmëria”, i cili paralajmëron se liderët “nacionalistë” mund të përkeqësojnë tensionet.
Në vend të kësaj, aktorët e jashtëm mund të shfrytëzojnë dallimet etnike për të “rritur ose mbrojtur ndikimin e tyre rajonal ose për të penguar integrimin më të gjerë të Ballkanit në BE ose në institucionet euroatlantike”.