Profesori amerikan Daniel Serwer, i cili njeh mjaftë mirë zhvillimet në rajon dhe procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë ka shkruar rreth takimit lamtumirës në Uashington në mes të dy emisarëve, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajcak. Serwer ka thënë se të dy janë diplomatë me përvojë që e njohin mirë rajonin dhe që kanë bashkëpunuar pa shumë fërkime. Ai kujton se një prej çështjeve ku ka pasur mospajtim ka qenë Ballkani i Hapur, me SHBA-në që kanë pasur qëndrim përkrahës ndërkohë që BE-ja e ka konsideruar si të panevojshëm dhe dyfishim i Procesit të Berlinit, shkruan Gazeta Express.
Serwer tutje shkruan se megjithatë Escobar dhe Lajcak nuk arritën të prodhonin normalizim politik në mes të Kosovës dhe Serbisë, synim ky që ishte prioritet i tyre kryesor.
Profesori amerikan thotë se të dy e kishin nisur keq dhe përfunduan edhe më keq.
“Ata i premtuan Beogradit se do të kenë prioritet krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe brenda Kosovës. Ata përfunduan pa përparim të rëndësishëm në atë prioritet të gabuar”, shkruan Serwer, raporton Gazeta Express.
Serwer duke rikujtuar gjithë ngjarjet që kanë ndodhur përgjatë këtyre tri viteve potencon se politika ndërkombëtare ka nevojë për një rivendosje. Sipas tij, është e qartë që politika perëndimore ndaj Serbisë nuk është duke funksionuar dhe se Uashingtoni e Berlini s’janë duke bërë shumë më mirë në Kosovë.
“Prishtina ka refuzuar të lëvizë drejt Asociacionit, megjithë “pasojat” e kushtueshme evropiane dhe denoncimet e ashpra amerikane. Vetëm nëse Beogradi zbaton dispozitat e tjera të marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013, Prishtina do të përgjigjet në mënyrë të njëjtë. Vuçiq nuk është në gjendje ta bëjë këtë”, shkruan tutje profesori amerikan, raporton Gazeta Express.
Sipas tij, suksesi në negociata kërkon një ndryshim të politikës. Serwer thotë se dialogu për çështje teknike që në të kaluarën ka qenë më i suksesshëm, duke qenë se ishte fokusuar në çështje që prodhonin përfitime të dukshme për qytetarët e të dy shtete
“Pavarësisht zbatimit të ndotur, rezultatet ishin thelbësore. Edhe sot, Prishtina dhe Beogradi kanë bërë më mirë me çështje praktike si targat dhe dokumentet e identitetit sesa normalizimin politik”, potencon profesori amerikan.
Serwer thotë se kjo është rruga e duhur për të ardhmen, duke qenë se normalizimi politik duket shumë larg.
“Serbia nuk do të jetë e interesuar të dorëzojë pretendimet e saj për sovranitet në Kosovë derisa lufta në Ukrainë t’i japë fund aneksimeve ruse atje. Kosova nuk do të jetë e interesuar për formimin e Asociacionit derisa të ketë besim se Serbia e pranon sovranitetin dhe integritetin e saj territorial. Por si Beogradi ashtu edhe Prishtina mund të mirëpresin zbutjen e lëvizjes përmes kufijve të tyre të ndërsjellë dhe duke mundësuar më shumë tregti dhe tregti të ligjshme”, shton tutje Serwer.
Profesori amerikan duke folur për problematikën e përdorimit të EURO-s në Veri të vendit, thotë se ky është një vendim i drejtë i Kosovës, pro që ka krijuar probleme për komunitetin serb.
Serwer thotë se çështje praktike si përdorimi i monedhës janë ato në të cilat BE dhe SHBA duhet të fokusohen
“Beogradi dhe Prishtina duhet të bien dakord për transparencën për subvencionet e Serbisë për komunitetet serbe brenda Kosovës, gjë që do të ndihmonte në zgjidhjen e çështjes së monedhës. Ky është drejtimi praktik në të cilin qëndrojnë perspektivat për sukses”, shkruan Serwer./GazetaExpress/