Gazeta Nacionale përmes burimeve mësoi se është arratisur Lorik Xhemshiti, i cili më 19.07.2024 ishte arrestuar së bashku me dy vëllezërit dhe nënën e tij, të dyshuar për fajde.
Burime të gazetës Nacionale kanë bërë të ditur se Lorik Xhemshiti ka ikur nga Klinika Hematologjise. Ai së bashku me nënën dhe dy vëllezërit po mbahej në paraburgim pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Shërbimi Korrektues i Kosovës, tashmë e ka konfirmuar se janë pezulluar nga puna dy zyrtarë, pasi L.XH, ka ikur rreth orës 6:30 të mëngjesit.
“Pezullohen nga puna dy zyrtarë korrektues Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se sot, rreth orës 06:30, nga Reparti i Hematologjisë në SHSKUK ka ikur i burgosuri L.Xh, i njejti ishte i akuzuar për Vepren Penale Fajde. Lidhur me rastin janë pezulluar nga puna dy zyrtarë korrektues, ndërsa është njoftuar edhe policia. SHKK ka filluar hetimet për të zbuluar se si ka ndodhur rasti dhe do t’ju mbajë të informuar.” – thuhet në njoftimin e SHKK.
Për Lorikun, dy vëllezërit e tij dhe nënën, kishte marrë masë të paraburgimit, Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Gjykata vlerësoj se janë plotësuar kushtet për caktimin e paraburgimit, sepse nëse të pandehurit lihen në liri, ekziston rreziku që të njëjtit të ikin dhe ti shmangen procedures penale, do të përsërisin vepra tjera penale të natyrës se njëjtë ose të natyrave më të rënda, po ashtu të pandehurit mund të asgjësojnë, fshehin, ndryshojnë ose falsifikojnë provat e veprave penale ose do të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar tek njëri tjetri andaj gjyqtari konstatoi se masa e paraburgimit, tani për tani është e vetmja masë për rrjedhjen e pa penguar të procedurës penale në këtë çështje juridiko–penale” – thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës më 20.07.2024.” – thuhej në vendim të gjykatës.
Xhemshiti futet në rradhën e disa të arratisurve të tjerë, çka është bërë dukuri kohëve të fundit.
Arratisjet
Brenda një kohë të shkurtër nga burgjet e Kosovës janë arratisur edhe Faton Hajrizi, Marko Roshiq, i dënuar për vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ndërsa, muaj më parë Kosovën e ka lëshuar edhe Enver Sekiraça, i cili ishte i dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e policit Triumf Riza.
Faton Hajrizi, që iku nga burgu i Smrekonicës, dyshohet se vrau një polic në Serbi, e pastaj u vra nga Policia serbe.
Në anën tjetër, nuk dihet për fatin e Enver Sekiraqës, i cili u dënua, por iku.
As për fatin e Marko Roshiq, ende nuk dihet asgjë.
Kujtojmë se dukuria e arratisjeve nga institucionet e drejtësisë, kohëve të fundit është shtuar.