Dhjetëra qytetarë serbë kanë mbajtur të premten në veri të Mitrovicës 15 minuta heshtje në nderim të 15 personave që humbën jetën tragjikisht gati tre muaj më parë në Novi Sad.
Në këtë mënyrë ata u solidarizuan me qindra mijëra serbë në Serbi të cilët po marrin pjesë sot në protestën e përgjithshme, që nënkupton ndërprerje të plotë të punës dhe mospjesëmarrje në transaksionet e tregut gjatë gjithë ditës.
Organizatori i këtij aksioni, Sërgjan Gjorgjeviq, qytetar nga veriu i Mitrovicës, në thirrjen që ka bërë një ditë më herët përmes rrjeteve sociale, ka inkurajuar bashkëqytetarët e tij për pjesëmarrje në këtë aksion, duke shkruar “Jeta është shumë e shkurtër për ta shënuar frika”.
Në protestë u panë pankarta me mbishkrime “Më së vështiri është ta zgjosh njeriun i cili bëhet sikur flenë”, “dora e përgjakur” dhe të ngjashme, ndërsa u dëgjuan brohoritjet “Vuçiq në burg”.
15 persona patën humbur jetën tragjikisht më 1 nëntor të vitit të kaluar pas shembjes së çatisë në stacionin e trenit në Novi Sad, dhe prej atëherë janë organizuar protesta anembanë Serbisë, duke kërkuar kështu përgjegjësi për rënien e çatisë, ndjekjen penale të përgjegjësve për sulmin ndaj studentëve, si dhe përgjegjësi politike.