Senatori amerikan Richard Blumenthal i ka dërguar një letër sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken për rrezikun që Serbia ia ka paraqitur Kosovës ndër vite duke përmendur sulmin në Banjskë në shtator të vitit 2023.
Në letër ai ka përmendur ndërhyrjen e NATO-s për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë në vitin 1999. Por, senatori nga Connecticut ka treguar se si ambiciet ekspansioniste të Serbisë nuk zbehen asnjëherë.
Ai ka treguar se si druhet se, “duke pasur parasysh qasjen e mëparshme të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, ndaj Rusisë”, ka frikë se “administrata e re Trump do të bëjë shumë pak për ta inkurajuar paqen mes Serbisë dhe Kosovës”.
Ai i ka kërkuar Blinkenit që gjatë tranzicionit të pushtetit në SHBA t’i mbajë sytë kah Kosova. Sipas Blumenthal, gjatë gjithë kësaj periudhe tranzicioni, kërkohet që të përdoren të gjitha instrumentet që ka në dispozicion SHBA-ja që të sigurohet që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur territorin e Kosovës.
Ai po ashtu në letër ka kërkuar që SHBA-ja të vazhdojë me përkushtim përkrahjen e procesit të normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara.
“Gjatë kësaj faze tranzicioni, ju kërkoj të përdorni të gjitha instrumentet që keni në dispozicion për t’u siguruar që Serbia të mbahet larg dhe e paaftë për të shkelur në territorin e Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë që ju t’i vazhdoni përpjekjet të kushtuara për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë dhe pranimit të Kosovës në OKB”, ka shkruar senatori.