Politikani serb Nikola Sanduloviq ka njoftuar se e bija e tij Klara, e cila ishte ndaluar nga Policia serbe në pikën kufitare Merdar për shkak të vizitës së saj në kompleksn memorial “Adem Jashari” në Prekaz ku bëri homazhe, është lejuar të hyjë në Serbi.
Përmes një postimi në platformën “X”, Sanduloviq ka thënë se vajza e tij është liruar pas katër orësh marrje në pyetje nga BIA serbe.
“Pas 4 orësh marrje në pyetje dhe ngacmime nga BIA, Klara Sanduloviq dhe Mihajlo Todiq u lejuan të hyjnë në vendin e tyre! Evropa, Britania e Madhe dhe Amerika duhet ta ndalin këtë regjim diktatorial që po persekuton kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre”, ka shkruar ai.
Gjatë së shtunës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te varrezat e Jasharëve në Prekaz. “Të respektojmë që të mos përsëritet më”, ishte mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit.
Javë më parë, kryetari i Partisë Republikane Serbe u arrestua dhe ka thënë se është rrahur nga shërbimi sekret serb, vetëm për faktin që ka vizituar Prekazin.
Edhe e bija e tij të shtunën pati paralajmëruar po ashtu se mund ta presë një fat i ngjashëm.
“Unë do të doja të shihja se çfarë do të bënte Qeveria serbe në lidhje me këtë sepse për këtë veprim, babai im u rrëmbye nga policia sekrete serbe, u rrah brutalisht, u torturua dhe u fut në burg. Ai u kthye në shtëpi gjysmë i paralizuar, në gjendje të tmerrshme dhe gjysmë i vdekur. Nuk e di se çfarë trajtimi do të kem nga Qeveria serbe për këtë dhe do të doja të shihja nëse Qeveria e Serbisë do të bëhet fashiste, do të na rrahë të gjithëve dhe do të na fusë në burg të gjithë apo ky është trajtim vetëm për babanë tim, gjë që e bën atë viktimë politike në vendin e tij”, ka thënë ajo. “Tani jo, por ne do të shohim kur të kthehemi, sepse ata e kanë traditë të ndalin njerëz nga partia jonë, veçanërisht babanë tim, duke e mbajtur në kufi me orë të tëra”.
Sanduloviqi është shoqëruar nga nënkryetari i Partisë Republikane të Serbisë, Mihajllo Todiq, i cili përsëriti kërkimfaljen e kryetarit të partisë, për krimet që Serbia ka bërë në Kosovë.