Që nga miratimi i vendimit nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë më 02.04.2024, bizneset do të kenë ulje prej 3 % të tarifave të energjisë elektrike deri në miratimin e tarifave të reja në vitin 2025.
Ulje të tarifave për 8% ka edhe për konsumatorët familjarë të cilët konsumojnë mbi 800 kw/h por jo edhe për konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kw/h.
Uljes së tarifave sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë i ka paraprirë trendi i rënies së çmimeve në tregjet e energjisë elektrike në Europë.
Kryesuesi i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, në emisionin “Kallxo Përnime” më 14.04.2024 tha se “meqenëse vitin e kaluar ka pasur ulje të çmimit të importit të energjisë elektrike, është vendosur që kjo kategoria që shpenzon më shumë se 800 kw/h të ketë ulje prej 8%”.
I pyetur se pse ulja e tarifave të energjisë elektrike nuk ka prekur dhe konsumatorët shtëpiakë të cilët shpenzojnë më pak se 800 kw/h, Fejzullahu tha se këta konsumatorë kanë paguar rrymën nën çmimin e furnizmit ndërsa bizneset kanë paguar më shumë se sa kosto e furnizimit të tyre.
Në vitin 2023, kategoria e konsumatorëve familjarë të cilët kishin shpenzuar më shumë se 800kw/h, kishte pasur shtrenjtiminmë të madh të energjisë elektrike, 10.51 euro dhe 13.80 euro.
Kriza energjetike në Kosovë kishte ndikuar në rritje të tarifave të energjisë elektrike në vitin 2022. Këtë krizë energjetike, Fejzullahu tha se e kanë menaxhuar bashkë me Qeverinë e Kosovës, të cilët ndanë 100 milionë euro për mbulimin e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.
“Në dy vitet e fundit Europa ka qenë në një krizë energjetike që ka reflektu edhe në Kosovë. ZRrE bashkë me Qeverinë kanë menaxhuar këtë krizë ku janë ndarë 100 milionë euro për të mos pasur rritje të energjisë elektrike. 0% ka pas rritje të energjisë elektrike për bizneset në 2021-2022” – theksoi ai.
Kryesuesi i bordit të ZRrE-së foli edhe për vendosjen e bllok-tarifës e cila prek 25% deri në 30% të konsumatorëve.
“Në këtë vit është vendosur edhe bllok-tarifa. Bllok-tarifa i ka prekur rreth 25% të konsumatorëve varion kjo për muaj 25% deri në 30% kur është vendosur, 70% e konsumatorëve janë të paprekur. Bllok-tarifa i prek ata që shpenzojnë shumë energji elektrike” – tha ai.
Fejzullahu kujtoi se heqja e bllok-tarifave në vitin 2017 u përcoll me rritje enorme të konsumit të energjisë elektrike, e cila ishte kundër direktivave të Bashkimi Europian. Në atë kohë rritja e konsumit të energjisë elektrike kishte kaluar 41 përqindëshin.
Për shkak të krizës energjetike në vitin 2022 dhe rritjes së çmimit të importit të energjisë elektrike, ZRrE kishte rikthyer bllok-tarifën dhe kishte shtrenjtuar rrymën. Në atë kohë tarifa për konsumatorët shtëpiakë për konsumin mbi 600 kw/h ishte dyfishuar. Tarifa për energjinë në tarifë të lartë nga 6.75 centë për kilovat ishte shtrenjtuar në 14 centë, apo një rritje prej 107%. Kurse, tarifa e ulët apo energjia e konsumuar gjatë natës nga 2.89 centë ishte shtrenjtuar në 6 centë, një rritje prej 107%.
Ndërsa në vitin 2023, ZRrE kishte vendosur për shtrenjtimin e energjisë elektrike prej 15% .
Sipas vendimit të ZRrE-së, në vitin 2023, konsumatorët që kishin konsum shtëpiak deri në 300 kilovatë në orë, nëse proporcioni i konsumit ishte 60 tarifa e lartë me 40 tarifa e ulët fatura mujore pësoi rritje prej 2 euro e 80 centë.
Për ata që kishin konsum deri në 450 kilovatë në orë, fatura mujore u rrit prej 4 euro e 18 centë.
Për konsumatorët që kishin konsum deri në 600 kilovatë në orë, rritja e faturës mujore ishte 5 euro. Dhe për konsumatorët deri në 800 kilovatë, në të cilën kategori bënin pjesë 80 për qind e konsumatorëve, rritja mujore ishte rreth 7 euro e 23 centë.