Shkruan Azdren Shala
Historiani i njohur gjerman, Falmerajer, duke parë kompleksitetin e historisë së shqiptarëve në mesjetë, e në veçanti identitetin e tyre etnik, thotë: ai që kërkon rrënjët e krerëve të malësive të Shqipërisë humbet kohën dhe mundohet kot. Këtë problem të identifikimit të shqiptarëve sipas kritereve që përdoreshin për popujt tjerë, e ka evidentuar dhe historiani tjetër K. Jireçeku, i cili thotë se për dallim nga popujt tjerë, përcaktimi i identitetit të shqiptarëve sipas emrave është problematik, meqë shqiptarët në mesjetë i kishin zakonisht nga dy emra, nga ku emri i parë ishte rrallë herë emër etnik/kombëtar dhe një mbiemër i cili zakonisht ishte i fisit ose katundit të vet. Kështu, realiteti kompleks i arealit arbëror në mesjetë, ku graviton kultura fetare dhe gjuhësore të ndryshme për arsye historike që dihen, në studimet e mëvonshme të historisë ka shkaktuar keqkuptime dhe keqinterpretime duke relativizuar dhe vetë ekzistencën e qenies arbërore në atë kohë dhe në ato treva. Në një nga këto keqkuptime dhe keqinterpretime rreth historisë së mesjetës shqiptare zë vend edhe përkatësia etnike e Kastriotëve, temë e cila vazhdon të jetë pjesë e debateve shkencore dhe publike për faktin e thjeshtë së nga kjo familje vjen personazhi më karizmatik dhe më i njohur i mesjetës ballkanike dhe asaj Evropiane, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Është e njohur në histori prirja për t’i glorifikuar dhe përvetësuar figurat e njohura historike mbi imazhet e të cilave më pas janë ndërtuar identitete kombëtare, janë ngritur mite dhe janë ndërtuar konstrukte nacionaliste për ta mohuar tjetrin dhe për ta hyjnizuar veten. Në këtë drejtim, pika e cila është goditur më së shumti në historinë e Skënderbeut ka qenë pikërisht përkatësia etnike e tij, për qëllime të ndryshme. Por, pavarësisht qëllimeve, duke u çliruar nga ngarkesat nacionaliste dhe duke qëndruar larg agjendave politike të ditës, ia vlen një këndvështrim shkencor mbi përkatësinë etnike të tij.
Përkatësia arbërore e Skënderbeut deri më sot është kontestuar duke i venë si kundërtezë përkatësinë e mundshme sllave të tij. Kjo hipotezë është ndërtuar duke u bazuar në identitetin fetar ortodoks të familjes Kastrioti, ku i vendoset shenja e barazisë mes asaj se çka është ortodokse rrjedhimisht është sllave. Kjo qasje e gabuar e cila vjen si pasojë e mungesës së njohurive historike ka shkaktuar lajthitje të tilla të cilat e meritojnë një shpjegim.
Në radhë të parë duhet ta kuptojmë një herë e mirë se mesjeta është një realitet krejtësisht i ndryshëm nga ai që jetojmë sot. Për dallim nga ditët e sotshme ku identitetet janë të konsoliduara mirë dhe të ndara ne mënyrë të qartë, në mesjetë gjerat ndryshojnë. Aty kemi shumësi realitetesh dhe hierarki tjetër identitetesh, nga ku është shumë e vështir të përcaktosh se çka është ai ose ajo. Të supozosh identitetin sllav të Kastriotëve në bazë të ortodoksisë ku identiteti i parë është i humbur brenda të dytit tregon mendjelehtësi në gjykim. Raport me ortodoksinë kanë pasur dhe arbrit në mesjetë dhe këtu duhet ta kuptojmë një gjë me shumë rëndësi që, në ritin bizantin ekzistonin tri tradita të ortodoksisë, ajo sllavonishte, greke dhe gjeorgjiane. Familja e Kastriotëve ishin një familje arbërore ortodokse nën ndikimin e traditës kulturore dhe gjuhësore sllavonishte, dhe që nga këtu fillon keqkuptimi. Por, nëse i futemi më thellë problemit dhe e ndjekim me kujdes të shtuar raportin e Kastriotëve me ritin e ortodoksisë sallavonishte, nga vetë këto raporte na del shumë e qartë përkatësia etnike e Kastrioteve. Se Kastriotët ishin familje arbërore na e konfirmojnë relacionet e kësaj familje me Manastirin e Hilandarit i traditës sllavonishte në Malin Atos në Greqi. Nga ato që njihen në histori si aktet e Hilandarit, Gjon Kostrioti, babai i Skënderbeut futet në një marrëdhënie me Manastirin e Hilandarit përgjatë viteve 1426-1431, ku manastirit në fjalë nga familja Kastrioti i dhurohen dy fshatra, Radostusha dhe Terbeshina, ndërsa më pas manastiri i’a shet pirgun e Shën Gjergjit dhe të drejtën për të murgjeruar Gjon Kastriotit. Ky pirg, dhe pronat përreth nga vetë aktet e Manastirit ortodoks pasi i jepen Gjon Kastriotit njihen me epitetin “Albanski pirg” (Kulla e arbrit). Ky fakt flet shumë edhe për përkatësinë e Kastriotëve, e cila evidentohej nga vetë aktet e manastirit serb si familje arbërore.
Një keqkuptim tjetër që lidhet me përkatësinë etnike të Kastriotëve janë edhe emrat e kësaj familje, të cilët gjithashtu janë emra të traditës gjuhësore sllavonishte duke i’u përshtatur gjuhës dhe ndikimit kulturor të liturgjisë ortodokse sllave. Por edhe këtu siç e ka vërejtur Jireçeku dhe Noli me vonë, emri rrallë herë përcakton identitet të arbrit në mesjetë, meqë në shumicën e rasteve ata janë përshtatje me influencat e ndikimeve të ndryshme kulturore. Një arsye tjetër përpos influencës fetare ortodokse, një pjesë e emrave janë edhe reflektim i presionit kulturor serb i mbetur nga sundimi i Dushanit dhe epigoneve të tij ne trevat arbërore. Në këtë drejtim argumentin se emrat të arbrit janë përshtatje dhe nuk përcaktojnë identitet, përbën shembulli i Gjon Kastriotit. Paraqitja e emrit të tij në trajta të ndryshme si Joan, Janus, Iouan, Johannes, Yuan, Ivan, Juvan etj, flet shumë në këtë aspekt sesa kriter i rrëshqitshëm është përcaktimi i etnisë sipas emrit në trevat arbërore. Por në këtë rast, më e rëndësishme se trajtat e emrave, për problemin tonë do të ishte saktësimi i titulluarës konkrete që bartte vetë Gjon Kastrioti, nga e cila na kristalizohet me qartë identiteti i Kastriotëve. Kështu përcaktimi i Gjon Kastriotit si “Zot asokohe i Arbërisë” nga peshkop Segoni jetëshkrues parabarletian, përbën argument të fuqishëm më shumë sesa trajtat e emrave që na paraqiten në kronikat e kohës.
Një tjetër çështje e diskutuar nga e cila më pas është ndërtuar hipoteza e origjinës sllave të Skënderbeut është e ëma e tij, e cila përcaktohet si sllave, sipas emrit Vojsava. Edhe në këtë rast emri nuk përcakton asgjë tjetër përpos identitetit të saj fetar ortodoks. Sa i përket identitetit të saj etnik, burimet historike janë shumë të papërcaktuara, dhe çdo insistim për ti caktuar asaj një identitet shqiptar ose sllav nuk janë gjë tjetër përveçse interpretime konvencionale, dhe aspak shkencore. Kështu, kronika e Hopf-it për të ëmën e Skënderbeut thotë: ajo quhej Vojsava Tribalda dhe vinte nga një familje e mire (Lexo: familje fisnike); Kronika e Muzakës na thotë: ajo ishte shqiptare nga familja e Muzakajve, por këtë pohim duhet parë me rezervë sepse edhe te vetë kronisti Muzaka shpërfaqet një prirje e tij për ta ngritur lavdinë e familjes së tij duke e bërë lidhjen me Skënderbeun; Barleti na informon se e ëma e Skënderbeut quhej Vojsava e cila vinte nga dera fisnike e Tribaleve; Franko na e paraqet si bija e Zotit të Pollogut. Ajo çka duhet shtuar në këtë mes, është se me emrin Tribali identifikoheshin dhe serbët, gjithashtu Tribali quhej edhe një fis ilir i cili shtrihej pikërisht në zonën e Pollogut afër Tetovës së sotshme, ku apelativi historik i këtij emri përdorej në mesjetë. Duke qenë se ky emërtim nënkupton përcaktime identitare të ndryshme, çështja e përkatësisë etnike e Vojsavës mbetet e pa njohur.
Në fund, dilemat e përkatësisë etnik të Skënderbeut, rrjedhimisht të Kastriotëve, na hiqen nga vetë Skënderbeu i cili e vinte theksin te prejardhja e tij ilire duke e identifikuar veten me Pirron e Epirit, si dhe nuk nguronte ta quante veten dhe me titullin Zot i Arbrit dhe pasardhës i derës fisnike të Balshajve.