Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka mbajtur të hënë konferencën përmbyllëse për medie për Regjistrimin e Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë. Sipas të dhënave deri më tani, Kosova pritet t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë. Kryeshefi ekzekutiv i ASK-së, Avni Kastrati ka dhënë detaje për regjistrimin e popullsisë.
Kryeshefi ekzekutiv, Avni Kastrati, ka thënë se pritet janë që Kosova t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë.
Ai ka thënë se nga matjet e fundit, del që në diasporë deri më tani janë regjistruar rreth 600 mijë mërgimtarë.
“Pritet t’i ketë rreth 1.6 milionë banorë. Të dhënat e fundit për diasporën të premten janë afër 600 mijë dhe pritet që të rritet numri i popullsisë në diasporë sepse afati është zgjatur deri në gusht.” – ka thënë ai në këtë konferencë për medie.
Më tej, ai ka folur edhe për regjistrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë. Ai ka thënë se komuniteti serb në veri të vendit ka hezituar të regjistrohet, por që pastaj javëve të fundit janë regjistruar një pjesë e tyre.
“Ne kemi angazhuar regjistrues të nevojshëm në ato zona. Tri herë kemi marrë regjistrues e i kemi çu në teren. Komuniteti serb duke parë që është e nevojshme të regjistrohen tani janë angazhuar në javën e fundit.” – ka thënë Kastrati.
Tutje, ai ka thënë se rezultatet e para do të dalin në muajin korrik, por që rezultatet finale marrin kohë më shumë edhe pse ai ka thënë se do mundohen që të dhënat të publikohen më shpejt se regjistrimin e popullsisë më 2011.
Ai beson se të dhënat e para finale do të mundohen t’i publikojnë brenda gjashtë muajve.
“ASK ka kohë që t’i publikojë të dhënat më herët, ideja e parë që e kemi në tavolinë do të jetë pjesa e parë e muajit korrik, pjesën e parë të këtij muaji. Të dhënat finale të mos kërkojnë qytetarët që t’i publikojmë nesër të dhënat. Praktikat janë që pas 15 muajve publikohen të dhënat përfundimtare. Planifikojmë t’i publikojmë pas gjashtë muajve.” – ka thënë ai.
Nga ana tjetër, për përfundimin e regjistrimit të popullsisë, ka shkruar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke thënë se është një etapë e rëndësishme e vendit.
“Jam i lumtur për rastin për të cilin jemi mbledhur këtu sot: përfundimin me sukses të regjistrimit të popullsisë, pas plot 13 viteve kur është bërë herën e fundit. Kjo është një etapë shumë e rëndësishme e progresit të vendit tonë dhe padyshim se këtij suksesi i gëzohemi të gjithë! I falënderojmë të gjithë qytetarët të cilët kanë hapur dyert dhe zemrat e tyre për regjistruesit tanë. Kemi mbledhur të dhëna të rëndësishme që do të ndihmojnë në planifikimin e së ardhshmes.” – ka thënë ai.
Më tej, ai ka falënderuar ASK-në dhe stafin e regjistruesve, teksa ka thënë se të dhënat do të jenë baze e mirë për politika e strategji më të mira.
“Një falënderim të veçantë shkon për ekipin e regjistruesve, tërë stafin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, dhe të gjithë përkrahësve të këtij procesi: është bërë një punë e shkëlqyer, andaj ju lutem, meqenëse kështu e kam shkruar në fjalim, edhe një herë duartrokitje për të gjithë ju! Të dhënat e mbledhura do të jenë baza për politika, strategji e vendime më të mira, për një zhvillim edhe më të hovshëm e më të qëndrueshëm të vendit tonë. Në veçanti i falënderoj edhe partnerët tanë ndërkombëtarë për bashkëpunimin. Së bashku mund të arrijmë gjithçka, të jemi edhe të numëruar edhe të lumtur.” – ka thënë ai.