Në një mandat të dytë, Donald Trumpi me gjasë do të vendoste figura besnike në pozita kyçe në Pentagon, Departament të Shtetit e CIA, aleancë parësore e të cilëve do të ishte ai, duke i mundësuar më shumë liri se në mandatin e parë për të zbatuar politika izoluese e teke, thanë gati 20 ndihmës e ish-ndihmës, diplomatë e ish-diplomatë, raporton agjencia “Reuters”.
Rezultati i një veprimi do të tillë do t’i mundësonte Trumpit që të bënte ndryshime të gjera në qëndrimin e ShBA-së për çështje nga lufta në Ukrainë te tregtia me Kinën, si dhe në institucione federale që e zbatojnë – dhe nganjëherë e kufizojnë – politikën e jashtme, thanë ndihmësit dhe diplomatët.
Gjatë mandatit të parë, në periudhën 2017 – 2021, Trumpi kishte vështirësi për ta imponuar vizionin e tij nganjëherë impulsiv e të çrregullt ndaj figurave amerikane të sigurisë kombëtare.
Ai shpesh shprehte zemërim ndaj zyrtarëve të lartë, të cilët i ngadalësonin, i vendosnin në sirtar ose i parandalonin disa nga skemat e tij. Ish-sekretari i Mbrojtjes, Mark Esper, në librin e tij ka shkruar se ai dy herë kishte paraqitur ankesa ndaj sugjerimit të Trumpit për sulme me raketa ndaj karteleve të drogës në Meksikë, që është partnerja më e madhe tregtare e ShBA-së. Ish-presidenti nuk e ka komentuar këtë.
Pasja e më shumë figurave besnike në pushtet do t’i mundësonte Trumpit që t’i çonte përpara prioritetet e tij në politikën e jashtme më shpejt dhe në mënyrë më efektive se që ishte në gjendje ta bënte këtë kur ishte më parë në pushtet, thanë disa ndihmës e ish-ndihmës.
Në mesin e propozimeve të paraqitura gjatë fushatës këtë vit, Trumpi ka thënë se do t’i dislokonte Forcat Speciale të ShBA-së kundër karteleve meksikane – diçka që ka pak gjasa për ta marrë miratimin e Qeverisë së Meksikës.
Nëse kthehet prapë në pushtet, Trumpi nuk do të humbte shumë kohë për t’i pakësuar ndihmat e mbrojtjes për Evropën dhe për t’i dobësuar më tej lidhjet ekonomike me Kinën, thanë ndihmësit.
Robert O’Brien, që mbetet njëri nga këshilltarët e lartë të Trumpit për politikë të jashtme dhe që flet me të rregullisht, tha se vendosja e tarifave tregtare ndaj vendeve të NATO-s, nëse ato nuk i plotësojnë zotimet për të shpenzuar të paktën 2 për qind të prodhimit vendës bruto në fushën e mbrojtjes, me gjasë do të ishte në mesin e politikave mbi tavolinë gjatë një mandati të dytë të Trumpit.
Zyrtarët e fushatës së Trumpit refuzuan që të komentonin për këtë artikull.
Ndryshe nga periudha para zgjedhjeve të vitit 2016, Trumpi ka mbajtur një grup njerëzish me të cilët flet rregullisht dhe të cilët kanë përvojë të konsiderueshme në politikën e jashtme si dhe e gëzojnë besimin e tij personal, sipas katër personave që kanë kontakte me të.
Në mesin e këtyre këshilltarëve përfshihen John Ratcliffe, ish-drejtor i Inteligjencës Kombëtare, ish-ambasadori i ShBA-së në Gjermani dhe i dërguari i posaçëm i ShBA-së për dialogun Kosovë – Serbi, Richard Grenell, dhe Kash Patel, ish-pjesëtar i stafit të Trumpit, i cili kishte mbajtur disa pozita në komunitetet e inteligjencës dhe të mbrojtjes.
Asnjëri nga këta persona nuk iu përgjigjën kërkesave për intervistë.
Përderisa politikat specifike të këtyre këshilltarëve joformalë dallojnë deri në njëfarë shkalle, shumica kanë qenë përkrahës të zëshëm të Trumpit që nga largimi i tij nga pushteti dhe kanë shprehur shqetësime se Amerika është duke paguar tepër për t’i mbështetur NATO-n dhe Ukrainën.
Trumpi ka epërsi në garën për nominimin e Partisë Republikane në zgjedhje presidenciale. Nëse ai bëhet i nominuar i partisë dhe pastaj e mposht presidentin Joe Biden në nëntor të vitit të ardhshëm, bota me gjasë do të shohë një Trump shumë më të trimëruar, më të ditur për atë se si ta zotërojë pushtetin, brenda vendit e jashtë tij, thanë disa ndihmës e ish-ndihmës.
Kjo mundësi i ka nxitur kryeqytetet e huaja që të kërkojnë të dhëna për atë se si do të dukej një mandat i dytë i Trumpit. Vetë Trumpi ka ofruar pak shenja për atë se çfarë politike të jashtme do të zbatonte, përtej pretendimeve të gjera si përfundimi i luftës në Ukrainë brenda 24 orëve.
Tetë diplomatë evropianë të intervistuar nga agjencia “Reuters” thanë se ka dyshime për atë nëse Trumpi do ta respektonte zotimin e Uashingtonit për t’i mbrojtur aleatët e NATO-s dhe se ka frikë akute se ai do ta ndërpriste ndihmën për Ukrainën në mesin e luftës së saj me Rusinë.
Përktheu: Nacionale