Opozita po kërkon në Kuvend themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore për vitin shkollor 2023/24.
Deputetja e AAK-së, Albena Reshitaj e ka kundërshtuar këtë, ndërsa u thirr të flasë në emër të grupit parlamentar të partisë. Deputetja tjetër e kësaj partie, Time Kadrijaj i tha t’i lëshojë komisionet parlamentare nëse s’e përfaqëson partinë, raporton Gazeta Express.
“Unë flas në cilësi të nënkryetares së Komisionit për Arsim”, tha Reshitaj kur kryeparlamentari Glauk Konjufca e ftoi të fliste në emër të partisë.
“Komisionet parlamentare, në këtë rast komisionet profesionale janë të duhurat ato që do të duhet t’i diskutonin dhe shqyrtonin këto çështje”, tha ajo.
“Unë ju propozoj që në vend se të formohet një komision hetues parlamentar, i cili edhe kushton – dmth duhet Kuvendi të ndajë mjete shtesë financiare për deputetët të cilët punojnë aty – më mirë do të kishte qenë që kjo punë të bëhet brenda Komisionit për Arsim, sepse ne edhe aty jemi për këtë punë dhe paguhemi”, tha Reshitaj.
Deputetja tjetër e AAK-së, Time Kadrijaj foli pak më pas. Ajo këtë herë në emër të grupit parlamentar të partisë.
“E kuptova se Albena ka folë në emrin e vetë personal. Megjithatë në Komisionin parlamentar për Arsim, Shkencë dhe Teknologji është në emrin e grupit parlamentar, e prezanton”, tha ajo, teksa Reshitaj po i përgjigjej: “Në emër të nënkryetares kam folë”.
“Por u dashtë… kur s’e prezanton Aleancën… e prezanton në këtë komision, je pjesë e Aleancës. Atëherë mirë zonja Reshitaj është me u deklara a është në Aleancë, ose nëse s’është, atëherë është e drejta e saj; duhet me i lëshu këto komisione dhe s’ka të drejtë t’i mbajë më shumë. Aleanca e përkrah secilin komision hetimor”, tha Kadrijaj.
Reshitaj iu kundërpërgjigj. Tha se në AAK po e trajtojnë keq dhe se aty po qëndron “vetëm për hir të besimit të qytetarëve”.
“Grupit parlamtar të Aleancës është dashtë me iu kujtu Albena më herët, me e thirrë nëpër takime, nëpër mbledhje të ndryshme, edhe të partisë por edhe të grupit parlamentar, pastaj me ia dhënë të drejtën me folë në emër të grupit parlamentar. Kështu që unë kam vendos të qëndroj kështu siç jam deri tani vetëm për hir të besimit të qytetarëve që unë kam marrë nën ombrellën e një partie politike”, tha Reshitaj.
“Unë nuk mund të marrë përgjegjësi të flas në emër të grupit parlamentar”, vazhdoi ajo.
“Mendoj që është mirë secili me i shiku punët e veta dhe çështjet e veta, dhe kur nuk i di disa gjëra, më mirë ndonjëherë është mos me folë”, tha Reshitaj, duke i reaguar kështu koleges së saj në AAK.
Kadrijaj e mori fjalën edhe një herë.
“Nuk ia kemi mohu fjalën zonjës Albena Reshitaj. Është pjesë e dy komisioneve parlamentare në emër të Aleancës, atëherë kjo t’i përdorë si të dojë këto dy komisione ku është përfaqësuese e Aleancës”, tha ajo.