Prokurori Special, Valdet Gashi, ka dhënë fjalën përfundimtare në rastin e 53-milionisht, ku të akuzuar janë Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
“Prokuroria Speciale mbetet në tërësi pranë të gjitha pikave të aktakuzës kundër të pandehurve dhe Prokuroria Speciale konfirmon me bindje të plotë se është provuar në tërësi gjendja faktike dhe se veprimet e të pandehurve manifestohen”, ka deklaruar Gashi.
Gashi, gjatë fjalës përfundimtare për këtë rast, ka thënë se të akuzuarit kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të shkaktimit të dëmit në buxhetin e shtetit.
“Referuar provave është vërtetuare bindshëm se janë manifestuar elementet e veprës penale, se duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar me qëllim të shkaktimit të dëmit në buxhetin e shtetit kanë nënshkruar marrëveshje në emër të Ministrisë së Infrastrukturës si punëdhënës dhe ndërmarrjes “Bechtel &Enka” si kontraktor, janë manifestuar elemente të veprës penale”, ka theksuar Gashi.
Prokurori Gashi ka vlerësuar se mohimi i të pandehurve për veprën penale është i pabazuar pasi këtë e kanë bërë për t’ju shmangur përgjegjësisë penale pasi kanë qenë të vetëdijshëm për këtë vepër teksa për të akuzuarit ka kërkuar dënim maksimal.
“Mohimi nuk është i qëndrueshëm prandaj nuk duhet t’u falet besimi i gjykatës. Provat identifikojnë qartë kryerësit e veprave, veprimet i kanë kryer me dashje duke i realizuar qëllimet e tyre. Kërkojmë nga Gjykata që të pandehurit të shpallen fajtor për veprën penale që aktakuza i ngarkon, t’i dënojë me dënim maksimal”, është shprehur Gashi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në MI, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Afera e pagesës së 53 milionë eurove shtesë në emër të vonesave për konsorciumun “Bechtel-Enka”, që ka ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”, është një nga aferat më të diskutuara në Kosovë.
Më shumë se dy vjet me parë KOHA pati siguruar një raport të kompanisë “Hill”, e cila ishte e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës për mbikëqyrjen e ndërtimit të kësaj autostrade. Sipas dokumentit, detyrimi monetar në raport me “Bechtel-Enkan” ishte 14 milionë euro. Por, Lekaj nuk e kishte prezantuar zyrtarisht në Qeveri e në mungesë të tij Ekzekutivi e kishte aprovuar pagesën prej 53 milionë eurosh shtesë për kompaninë që e ka ndërtuar autostradën.