Diagnostimi i kancerit të mushkërive tek ata që nuk kanë pirë kurrë cigare është në rritje, dhe ndotja e ajrit është shqetësim kryesor, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Kërkimeve mbi Kancerin (IARC) të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Kanceri i mushkërive tek ata që nuk kanë pirë kurrë cigare tani është shkaku i pestë më i lartë i vdekjeve nga kanceri në botë.
“The Guardian” ka shkruar se sipas një studimi të IARC-së të publikuar në revistën Lancet Respiratory Medicine, rreth 200,000 raste të adenokarcinomës (një nënlloj dominues i kancerit të mushkërive) ishin të lidhura me ndotjen e ajrit në vitin 2022. Ndikimi më i madh i ndotjes u gjet në Azinë Lindore, veçanërisht në Kinë.
Doktori Freddie Bray, autor kryesor i studimit dhe drejtor i degës së monitorimit të kancerit në IARC, ka thënë për “The Guardian” se ky studim thekson nevojën për monitorim të mëtejshëm të rreziqeve në rritje për kancerin e mushkërive dhe për studime shtesë për t’i identifikuar faktorët e mundshëm të shkaktimit të tij, si ndotja e ajrit.
“Me uljen e numrit të konsumuesve të duhanit, siç është vënë re në SHBA dhe Britaninë e Madhe, përqindja e rasteve të kancerit të mushkërive mes atyre që nuk kanë pirë kurrë cigare ka tendencë të rritet”, ka thënë Bray.
Ai gjithashtu ka shtuar se nëse do të rritet përqindja globale e adenokarcinomave të lidhura me ndotjen e ajrit, do të varet nga suksesi i strategjive të ardhshme për të kufizuar përdorimin e duhanit dhe ndotjen e ajrit.
Kanceri i mushkërive mbetet shkaku kryesor i incidencës dhe vdekjeve nga kanceri në botë. Në vitin 2022, rreth 2.5 milionë njerëz u diagnostikuan me këtë sëmundje.
Sidoqoftë, mënyra e shfaqjes së kancerit të mushkërive ka ndryshuar dukshëm, ku adenokarcinoma ka pasur rritje të dominancës si nënlloj i kancerit, duke përbërë 45.6% të rasteve tek burrat dhe 59.7% tek gratë në vitin 2022. Një pjesë e konsiderueshme e rasteve të adenokarcinomës, deri në 70%, janë tek ata që nuk kanë pirë kurrë cigare.
Të dhënat sugjerojnë gjithashtu se shkalla e diagnozave të kancerit të mushkërive tek gratë po rritet, dhe në vitin 2023, “The Guardian” ka zbuluar se numri i grave të diagnostikuara me këtë lloj kanceri në Britaninë e Madhe po e kalon atë të burrave për herë të parë.
Shkencëtarët janë duke kërkuar gjithnjë e më shumë për faktorë të tjerë që mund të shkaktojnë kancerin e mushkërive, përveç pirjes së duhanit. IARC-ja ka gjetur prova të lidhjes midis ndotjes së ajrit dhe rrezikut të rritur për adenokarcinomë, duke theksuar se kjo ndotje është një faktor i rëndësishëm që shpjegon rritjen e dominancës së këtij nënlloji kanceri tek ata që nuk kanë pirë duhan.
Bray ndër të tjera ka thënë se ky studim ofron njohuri të rëndësishme për mënyrën se si kanceri i mushkërive dhe faktorët e tij të rrezikut po evoluojnë, duke ofruar pista se si mund të parandalohet kjo sëmundje në mënyrë më efikase në të gjithë botën.