Agjencia e inteligjencës e Koresë së Jugut ka gjetur se Koreja e Veriut ia ka dërguar Rusisë 12.000 trupa, përfshirë forca speciale, për ta ndihmuar në luftë kundër Ukrainës, raportoi Associated Press të premten.
Agjencia e lajmeve Yonhap e citoi Shërbimin e Inteligjencës Kombëtare të Koresë së Jugut duke thënë se katër brigada të ushtarëve të Veriut janë nisur drejt Rusisë tashmë.
Edhe media të tjera koreanojugore raportuan ngjashëm.
Nëse konfirmohet, kjo do të jetë pjesëmarrja e parë e Koresë së Veriut në një luftë të huaj.
Koreja e Veriut i ka 1.2 milion ushtarë, pra njërën prej ushtrive më të mëdha në botë, por i mungon përvojë në luftë të vërtetë.
Të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Qeveria e tij ka informacione se 10.000 trupa nga Koreja e Veriut po përgatiten për t’iu bashkuar forcave ruse që luftojnë kundër vendit të tij, duke paralajmëruar se përzierja e një shteti të tretë në luftë mund ta kthejë konfliktin në një “luftë botërore”.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se aleanca perëndimore “nuk ka prova se ushtarët koreanoveriorë janë të përfshirë në luftë”.
“Por, ne dimë se Koreja e Veriut po mbështet Rusinë në shumë mënyra, si furnizime me armë, furnizime teknologjike, inovacione, për t’i mbështetur ata në përpjekjet e luftës. Dhe kjo është shumë shqetësuese”, tha ai të enjten.
Rusia e ka mohuar përdorimin e trupave koreanoveriore në luftë. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, e përshkroi pretendimin si “një tjetër lajm i rrejshëm” gjatë një konference për shtyp javën e kaluar, sipas mediave ruse.
Mediat ukrainase raportuan më herët këtë muaj se gjashtë koreanoveriorë në mesin e të vrarë pas një sulmi raketor ukrainas në rajonin e okupuar pjesërisht, Donetsk, në lindje, më 3 tetor.
SHBA, Koreja e Jugut dhe partnerët e tyre e kanë akuzuar Korenë e Veriut për furnizimin e Rusisë me predha artilerie, raketat dhe pajisje të tjera për të ndihmuar në luftën e saj ndaj Ukrainës./REL