Raporti i ri liston tri shtete të Ballkanit në mesin e dhjetë shteteve të botës ku njerëzit më së paku i ndajnë mbeturinat shtëpiake, duke shkaktuar probleme mjedisore dhe rreziqe për shëndetin – me mungesën e vetëdijesimit si fajtorin më të madh për këtë derexhe.
Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria radhiten në mesin e dhjetë shteteve në shkallë botërore ku njerëzit më së paku raportojnë ndarjen e mbeturinave të tyre shtëpiake, kanë treguar të dhënat e raportit të Sondazhit të Rrezikut Botëror të kryer nga Fondacioni i Regjistrimit i Lloydit.
“Bota e mbetjeve: rreziqet dhe mundësitë në menaxhimin e mbeturinave shtëpiake”, publikuar të martën (17.09.2024), bazohet në të dhënat e mbledhura nga sondazhi botëror i kryer nga Gallupi, që ka bërë 147 mijë intervista në 142 shtete dhe territore anembanë botës.
Menaxhimi i dobët i mbeturinave shtëpiake shkakton probleme për mjedisin dhe rrezikon shëndetin e njerëzve, paralajmëron raporti. Thotë se dhjetë vendet ose territoret me shkallët më të larta të ndarjes së mbeturinave janë në Europë ose në Azinë Lindore.
Në anën tjetër, shtatë prej dhjetë vendeve ku më së paku raportohet për ndarje të mbeturinave shtëpiake janë nga Afrika Nënsahariane. Tri vendet tjera janë: Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Raporti thekson se njerëzit në të tri këto shtete të Ballkanit përballen me sfida të theksuara kur vjen puna te menaxhimi i mbeturinave të tyre shtëpiake.
“Kosova i mungon çfarëdo forme e menaxhimit të duhur të mbeturinave shtëpiake (ose të tjera). Në Malin e Zi, ndarja nuk është efektive për shkak se riciklimi i mbeturinave nuk kategorizohet si post-mbledhje, dhe njerëzve nuk u ofrohen incentiva për të ndarë mbeturinat që në fillim. Ngjashëm në Shqipëri, ka pak struktura në vend për të zbatuar ose nxitur ndarjen dhe riciklimin, dhe çfarëdo ndarje që bëhet, kryhet kryesisht në formë joformale”, thotë raporti.
Kosova renditet e treta në listën e vendeve ku njerëzit nuk i ndajnë mbeturinat shtëpiake para hedhjes, pas Bregut të Fildishtë dhe Gabonit. Mali i Zi dhe Shqipëria ndajnë vendin e nëntë në tabelë, me rezultate goxha më të mira se Togo, Kameruni, Liberia dhe Republika e Kongos.
Në Kosovë, “mungesë e njohurive, ndërgjegjësimit dhe edukimit në mesin e popullsisë përgjithshme ka penguar përparimin drejt ndarjes së mëtutjeshme të mbeturinave shtëpiake që në fillim. Duhet të jetësohen më shumë programe edukimi dhe ndërgjegjësimi”, thotë në raport.
‘Ofrimi i ndihmës për familjet për të ndarë mbeturinat e tyre më lehtësisht dhe më me efikasitet në pjesë të mëdha të Europës Qendrore do të thoshte se më shumë familje do t’i mbanin mbeturinat në mënyra më të qëndrueshme(gjatë mbledhjes dhe ndarjes)”.
Në nivel botëror, raporton spikat se më shumë se dy në pesë shtëpi globalisht i hedhin mbeturinat në mënyrë të pakontrolluar, siç djegia në qiell të hapur, ose hedhja në rrugë, duke paraqitur rrezik për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin.
Drejtoresha e Dëshmisë dhe Monitorimit në Fondacionin e Regjistrimit të Lloydit, Nancy Hey, ka thënë se praktikat e rrezikshme, si djegia në qiell të hapur, ndodhin atëherë kur njerëzit nuk kanë ndonjë alternativë të qartë. Ajo ka bërë thirrje për investim për infrastrukturë më të mirë për mbledhje dhe procesim në ato vende.
“Çfarë soji mbeturinash gjenerojmë dhe si i menaxhojmë ato ka rëndësi të madhe, duke ndikuar cilësinë e ajrit dhe shëndetin, sigurinë e njerëzve që punojnë me mbeturinat tona, dhe mjedisin, sidomos nëse mbeturinat përfundojnë në oqeanet tona”, ka thënë Hey në një komunikatë. /Kallxo