Kryetari aktual i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka deklaruar se i ka raportet e mira me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se e ka përkrahjen e Abdixhikut për të garuar edhe në një mandat në zgjedhjet lokale.
Këto deklarime Rama i bëri të mërkurën gjatë nisjes së projektit për ndërtimin e ishullit Urban Arbëria – Pallati i Rinisë.
KOHA ka dërguar pyetje në LDK nëse do ta vendosin Ramën si kandidat për zgjedhjet e ardhshme lokale që do të mbahen vitin e ardhshëm.
Ndërkohë, për projektin që kushton 6.5 milionë euro, Rama ka thënë se është ndër projektet më të mëdha në Prishtinë.
“Ky nuk do të jetë vetëm projekt por do të jetë park i ri për banorët e Arbërisë. Premtimet që i kemi bë po i transformojmë në realitet. Benefitet janë shumë dimensionale. Një numër i madh i qytetarëve nuk kanë mundësi të kalojmë në këmbë në këtë pjesë dhe janë të pa sigurta. Tash kjo do të ndryshojë. Pas investimeve të mëdha në Rrugën A, tash është ky njëri ndër projektet më të mëdha të kryeqytetit. Punët po ndodhin në të gjitha pjesët e kryeqytetit përkundër pengesave qe i kemi nga qeveria qendrore. Qytetarët na kanë besuar udhëheqësinë e kryeqytetit dhe nuk do të ndalemi”, ka deklaruar Rama.
E, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se Rama duhet të bëhet gati për projekte të tjera.
“Përparimi po e lë një shenjë historike në Prishtinë ashtu siç ka premtuar. Jemi krenarë të gjithë për këtë. Prandaj, Përparim bëhu gati edhe për 3 projekte të mëdha. Për unazën e kryeqytetit, Stadiumin e ri në Bernicë, dhe për spitalin e ri në Prishtinë”, u shpreh Abdixhiku.