Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ndodhet në Shkup, ku po merr pjesë në takimin e liderëve të rajonit, por dhe zyrtarëve të SHBA dhe BE-së.
Në fjalën e tij në hyrje të takimit, kryeministri tha se takimi është tepër i rëndësishëm për hapat që rajoni duhet të ndërmarrë për t’u afruar me Bashkimin Evropian.
Kreu i qeverisë theksoi se vendet e Ballkani duhet të vendosin interesin e qytetarëve të parin dhe të lënë në plan të dytë historinë.
“Ky është një takim i rëndësishëm pasi jemi këtu liderët e Ballkanit së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Europian për hapat e mëdha që duhet të ndërmarrim për t’u bashkuar dhe afruar sa më shumë me Bashkimin Europian.
Është një plan për zhvillimin dhe integrimin në tregun evropian dhe kjo deri më sot ka qenë e pamundur për ne, dhe e mundur vetëm për vendet që janë pjesë e BE-së. Ky është një ndryshim i rëndësishëm dhe është një mundësi që nuk duhet t’a humbim dhe është e rëndësishme që sot jemi këtu për të punuar të gjithë së bashku.
Ne duhet të kemi prioritet nevojat e qytetarët në fillim dhe ta lëmë historinë tonë për më pas. Ne do të bëjmë gjithçka që duhet të bëjmë në kohë që në muajt e ardhshëm të përcaktojmë se si do të duken vendet tona në fund të kësaj dekade”, ka thënë Rama në një fjalim të shkurtër të mbajtur para takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Shkup.