Anton Quni deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, është prononcuar para mediave pas dështimit të tentativës së 22 të seancës për konstituimin e Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Ai ka thënë se gjendja e krijuar në Kuvend është tregues që Lëvizja Vetëvendosje nuk i ka numrat as për formimin e Qeverisë, duke shtuar edhe se është e pakuptimtë të këmbëngulet në të njëjtën agjendë.
‘‘Për të 22 herë jemi dëshmitarë të dështimit të partisë VV, e cila nuk po arrin me i sigurua votat e mjaftueshme për të votuar kandidatin e propozuar për kryetar të kuvendit. Po ashtu Kjo gjendje është treguese se VV nuk i ka as votat për krijimin e Qeverisë. Kur një parti në këtë rast partia e parë, nuk mundet me i siguru votat e duhura të mjaftueshme është e pakuptimtë të vazhdohet me të njëjtën agjendë dhe të këmbëngulet pafundësisht. Kur nuk janë të zot më ofruar zgjidhje, VV-ja do të duhej me pranu zgjidhje. Zgjidhja në këto rrethana, është dakordimi për qeveri gjithëpërfshirëse’’, ka thënë ai. /GazetaExpress